Prokuroria kërkon dënimin e Aziz Tafajt për mashtrimin me miliona euro

Gjykimi  ndaj biznesmenit Aziz Tafaj i akuzuar për përvetësimin e miliona eurove përfundoi sot.

Prokurorja e rastit Merrushe Llugiqi në fjalën përfundimtare në këtë gjykim tha se “Në këtë shqyrtim gjyqësor u vërtetua nga dëshmitarët dhe provat materiale se i akuzuari Aziz Tafaj ka kryer veprën penale, andaj kërkoj nga gjykata që të njëjtin ta shpallë fajtor dhe ta dënojë sipas ligjit’’.

Ndërsa avokatja Shpresa Berisha deklaroi se “Prokuroria ka dështuar të provojë ekzistimin e kësaj vepre penale pasi nuk ka arritur ta provojë fajësinë e të akuzuarit Aziz Tafaj, andaj propozoj që të marrë vendim me të cilin do të lirohet Aziz Tafaj nga aktakuza’’.

I akuzuari Aziz Tafaj në fundin e gjykimit kundër tij tha se “Nuk kam çfarë të shtoj, e përkrah avokaten time’’.

Biznesmeni Aziz Tafaj, ka tetë vite që akuzohet për përvetësimin e 2,270,524.00 eurove.

Sipas Prokurorisë, Aziz Tafaj ngarkohet se kishte shpërdorur pozitën zyrtare ose autorizimin që kishte në cilësinë e drejtorit të firmës ‘Imobiliare  Friuli’  dhe se që nga korriku i 2007-ës e deri në janar të 2010-ës, iu kishte shkaktuar dëme aksionarëve të tjerë të kësaj shoqërie, me qëllim të përvetësimit të dobisë pasurore për veti.

Gjithnjë sipas prokurorisë, i akuzuari Tafaj, aksionarëve të kësaj shoqërie ju kishte paraqitur në mënyrë të rreme çmime të fryra të palujtshmërive.

“Për ndërrimin e një palujtshmërie në Prishtinë, vlera reale e së cilës ishte 200,000.00 euro në bilancin e shoqërisë e ka prezantuar në shumë prej 645,000.00 euro. Palujtshmërinë në Matiqan vlera e së cilës ishte 200,000.00 euro e kishte prezantuar në shumë prej 547,500.00 euro dhe për palujtshmërinë tjetër vlera e së cilës ishte 274,176.00 e kishte paraqitur në vlerë prej 728,000.00 euro. Palujtshmërinë në fshatin Suhodoll vlera e së cilës ishte 9,800.00 euro e kishte prezantuar ne vlerë prej 900,000.00 euro”, thuhet në dosjen e Prokurorisë.