Mjete të konfiskuara nga Policia te shtetasit çekë në rajonin e Ferizajt

Prokuroria flet për ndalimin e shtatë shtetasve çekë dhe shtetasit serb

Prokuroria në Ferizaj ka mohuar se ka arrestuar tetë persona për shkak të dyshimit se kishin përgatitur ngritjen e një droni me flamuj serb gjatë ndeshjes së ditës së nesërme ndërmjet Kosovës dhe Çekisë.

KALLXO.com ka kontaktuar me Kryeprokurorin e Ferizajt, Shukri Jashari i cili tha se lajmi për ndalimin është i rremë ndërsa sqaroi se si ka rrjedhur rasti.

Kryeprokurori Jashari tha se policia kishte marrë informacion për një veturë të dyshuar, nga ku pas ndalimit të veturës ka identifikuar tetë persona shtetas të huaj.

“Tetë persona janë ndaluar nga ana e policisë në Shtërpcë, të njëjtit janë identifikuar dhe janë shoqëruar për në polici. Gjatë kontrollit të tyre dhe makinës së tyre, janë gjetur disa pajisje si një dron, thika të vogla, motorolla, flamuj të Serbisë, maica me fotografi të Vladimir Putinit. Gjithashtu te njëri nga këta shtetas të huaj është gjetur edhe një biletë për ndeshjen e cila pritet të zhvillohet nesër në stadiumin “Fadil Vokrri””, sqaroi Kryeprokurori Jashari për KALLXO.com.

Kryeprokurori tregon se ka udhëzuar policinë që t’i intervistojë këta persona.

Mjete të konfiskuara nga Policia te shtetasit çekë në rajonin e Ferizajt

“Siç kam marrë edhe informatat nga policia, shtetasit kishin ardhur për vizitë, pas Shtërpcës ata do të shkonin në Hoçë. Unë i kam udhëzuar që të shikojnë se kur kanë hyrë në Kosovë shtetasit e huaj. Jam lajmëruar nga ta që tetë shtetasit e huaj kanë hyrë në Kosovë më 2 shtator dhe nuk kanë qenë të lajmëruar askund për vendqëndrimin e tyre, këtë e kanë obligim pasi duhet të lajmërohen ku qëndrojnë”, shton tutje Jashari.

Ai tregoi se nga tetë shtetasit e huaj, gjashtë janë burra dhe dy gra, shtatë nga ta janë shtetas çekë e një shtetas serb.

“Sipas procedurave policore, të njëjtit ka qenë dashur të lajmërojnë adresat e vendbanimit që nga hyrja në Kosovë. Kam kërkuar që policia të shikojë edhe në Drejtorinë e Emigrimit. Nga ata të fundit kemi marrë informacion se nuk ka pasur ndonjë njoftim për vendqëndrim dhe se shtetasit e huaj do të duhej të dënoheshin me gjobë”, tregon Jashari për KALLXO.com.

Tetë shtetasve të huaj u është sekuestruar pasaporta përkohësisht deri në momentin e pagesave të gjobave të shqiptuara.

Mjete të konfiskuara nga Policia te shtetasit çekë në rajonin e Ferizajt