Kryeprokurori: Personat që rrahën Krasniqin ishin të maskuar

Personat që kanë rrahur mbrëmë ish-shefin e Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Nexhat Krasniqin kanë qenë të maskuar.

Lajmin për rrahjen e Krasniqit e ka konfirmuar edhe kryeprokurori i Prokurorisë së Ferizajt, Shukri Jashari.

“Ende nuk ka diçka konkrete. Personat kanë qenë të maskuar, për momentin nuk dihet. Tash po zhvillohen hetimet e derisa të identifikohen personat”- ka thënë Jashari për KALLXO.com.

Një person i moshës 54 vjeçare është rrahur rëndë, mbrëmë në rrugën Shtërpcë-Brezovicë, nga dy persona të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.

KALLXO.com mëson se bëhet fjalë për ish-shefin e Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Nexhat Krasniqi.

Rastin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili tha se ngjarja ka ndodhur në rrugën Shtërpcë-Brezovicë rreth orës 23:20.

Krasniqi fillimisht është dërguar në qendrën shëndetësore në Shtërpcë, e më pas për tretman të mëtutjeshëm mjekësor është dërguar në spitalin e Ferizajt.

“Më datën 26.08.2022, në ora 23:20, Policia ka pranuar një informacion se në rrugën Shtëprcë Brezovicë një person me inicialet N.K (M/K) i moshës 54 vjeçar ka pësuar lëndime trupore , dyshohet nga dy persona të cilët më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Policia i ka marr veprimet e nevojshme dhe nën autorizim të prokurorit kujdestar nga Prokuroria Themelore e Ferizajt i ka nisur hetimet në kërkim të personave të dyshuar. Rasti është cilësuar “Lëndim i rëndë trupor” Për informata tjera do të njoftoheni me kohë”, thuhet në raportin policor.

Për rastin, KALLXO.com mëson se ngjarja ka ndodhur teksa Krasniqi po dilte nga njëri prej resorteve të kësaj zone.

Ende nuk dihen motivet se pse ka ndodhur rasti.

Rrihet rëndë në Brezovicë ish-shefi i prokurimit të Ministrisë së Mjedisit