Ilustrim.

Arrestohet një 40-vjeçar, dyshohet për dhunim të një gruaje 32-vjeçare

Një 40-vjeçar është arrestuar gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se ka dhunuar një 32-vjeçare.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, dhunimi dyshohet se ka ndodhur në Shtime, dje rreth orës 14:36.

Mirëpo, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Shukri Jashari ka thënë për KALLXO.com se të dy persona, viktima dhe i dyshuari janë nga Lipjani.

“Që të dy nuk janë të regjionit të Ferizajt, janë të regjionit të Prishtinës, respektivisht të Lipjanit” – ka thënë Jashari.

Ai ka treguar se ndaj personit të dyshuar do të kërkohen edhe caktimi i masës së paraburgimit.

“Sapo të marrim kallëzimin penal, do e bëjmë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit” – tha Jashari.

Policia njoftoi se i dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.