Foto: Kallxo.com

Pranojnë fajësinë për fshehjen e armës me të cilën u krye një vetëvrasje

Gjykata e Prishtinës ka mbajtur gjykimin ndaj të akuzuarve Jakup Osmani dhe Admir Osmani.

I akuzuari Jakup Osmani po gjykohet për veprat penale manipulim i provave, mbajtje në pronësi ose kontrollë të paautorizuar të armëve dhe atë të deklarimit të rremë ndërsa Admir Osmani po akuzohet vetëm për veprën penale të deklarimit të rremë.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Armend Hamiti, të dy të akuzuarit pranuan fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 8 qershor.

Dosja e prokurorisë shpjegon se i akuzuari Jakup Osmani më 1 tetor  2019, rreth orës 17:00, në oborrin e shtëpisë së vet në fshatin Besi të Komunës së Prishtinës, ku tani e ndjera Blerta Osmani kishte kryer vetëvrasje, i akuzuari Osmani me qëllim të pamundësimit të shfrytëzimit të armës si provë në procedurë zyrtare ka hequr dhe fshehur (asgjësuar) armën e tipit tani për tani të panjohur me të cilën është kryer vetëvrasja dhe më këtë prokuroria e ngarkon për manipulim të provave.

Më tutje aktakuza shtjellon se me datë, kohë dhe vend të njëjtë, i akuzuari Jakup Osmani ka pasur në posedim armën të tipit tani për tani të panjohur në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armë të tilla dhe në këto rrethana prokuroria po e ngarkon për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Jakup Osmani gjithashtu po akuzohet edhe për veprën penale deklarim i rremë nën betim pasi që në deklaratat e 28.10.2019, 14.10.2019, 2.10.2019 dhe 1.10.2019 të dhëna në procedurë penale në cilësinë e dëshmitarit edhe pse i njoftuar se duhet të thotë të vërtetën me dijeni ka fshehur nga deklarimi çështje relevante për procedurën me qëllim të pengimit të hetimeve të cilën deklaratë edhe e ka nënshkruar.

Tutje prokuroria po e akuzon edhe Admir Osmanin për deklarim të rremë nën betim, pasi që sipas aktakuzës në deklaratat e dhëna me datë 14.10.2019, 2.10.2019 dhe 1.10.2019 në cilësinë e dëshmitarit në procedurë penale edhe pse i njoftuar me të drejtat se duhet të thotë të vërteten  me dijeni ka fshehur nga deklarimi çështje relevante për procedurën me qëllim të pengimit të hetimeve të cilën deklaratë e ka nënshkruar.

Do NOT follow this link or you will be banned from the site!