Ilustrim

Tetë raste të dhunës në familje të raportuara brenda 24 orëve

Policia e Kosovës njofton se brenda 24 orëve janë raportuar tetë raste të dhunës në familje.

Në Prishtinë është arrestuar një person pasi i njëjti dyshohet se e ka ofenduar dhe është sjellë dhunshëm me gruan e tij.

Policia njofton se me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një tjetër rast ka ndodhur në Prishtinë ku një grua ka raportuar se burri i saj ka ushtruar dhunë fizike dhe psiqike.

“Të dy palët janë sjellë në stacion policor dhe pas intervistimit me urdhër të prokurorit i dyshuari lirohet. Rasti shkon në procedurë të rregullt”, njofton Policia.

Policia njofton se në Obiliq një grua ka raportuar se burri i saj ka ushtruar dhunë psiqike ndaj saj për shkaqe xhelozie.

Sipas Policisë, viktima nuk ka pranuar tretman mjekësor, ndërsa me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Ndërsa një rast tjetër është raportuar në Obiliq, ku është arrestuar një person pasi pas një mosmarrëveshje dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj gruas së tij.

Policia njofton se viktima është dërguar në strehimore, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

Në Podujevë është arrestuar një person pasi dyshohet se vazhdimësi e ka kanosur bashkëshorten.

“Në lidhje me rastin është konsultuar prokurori i shtetit me vendim të së cilit i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Policia njofton se edhe në Istog janë raportuar dy raste të dhunës në familje.

Në rastin e parë një person është arrestuar pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike ndaj gruas dhe djalit të tij duke iu shkaktuar lëndime.

“Viktimat kanë pranuar tretman mjekësor, po ashtu edhe djali i saj dyshohet se ka sulmuar motrën e tij”, thuhet më tutje.

I dyshuari, siç njofton Policia, me urdhër të prokurorit është dërguar në mbajtje.

Në rastin e dytë Policia njofton se një person është arrestuar pasi i njëjti ka dashur t`i marrë me forcë fëmijët e tij të cilët jetojnë me nënën e tyre.

“I dyshuari dhe viktima jetojë të ndarë pasi edhe më herët kishin probleme familjare. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftim.

Ndërsa në Pejë një grua ka raportuar në Polici se nga djali i saj është kanosur.

Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

Po ashtu në Pejë një grua ka raportuar në Polici se nga djali i saj është kanosur.

Policia njofton se i dyshuari është arrestuar dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje.