Pejë – Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasje në tentativë

Gjykata e Pejës i ka caktuar 30 ditë paraburgim të dyshuarit F. L.

I lartcekuri dyshohet për tre vepra penale dhe atë vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje.

Sipas njoftimit tw gjykatës me 10 tetor në Pejë i dyshuari për motive të panjohura ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin M. A.

Sipas prokurorisë i dyshuari me t’u takuar me të dëmtuarin papritmas nga brezi nxjerr revolen dhe shtie në drejtim të viktimës duke i shkaktuar lëndime serioze si dhe duke shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve të tjerë, ku përveç të dëmtuarit M. A., me një predhë ka goditur edhe një kalimtar të rastit të cilit i ka shkaktuar lëndime të rënda trupore me pasoja për jetën.

Me këto veprime i pandehuri F. L. dyshohet se ka kryer veprat penale vrasje në tentativë, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve.

Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata ka vlerësuar se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës do të dëgjohen dëshmitarët ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës.

Po ashtu gjykata caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton me peshën e veprave të kryera penale, mënyrën dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale për shkak se veprat për të cilat dyshohet i pandehuri janë kryer në mes të ditës në një vend të frekuentuar nga qytetarët.

Kundër këtij vendimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.