Komuna e Prishtines

Paraburgim për zyrtaren e Komunës, dyshohet se lëshoi 496 vërtetime me fletëpagesë 0 euro

Gjykata e Prishtinës ka caktuar masën e paraburgimit për zyrtaren e Komunës së Prishtinës, Nergjivane Demolli, e cila po akuzohet për keqpërdorim të detyrës.

Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se e pandehura nga muaji mars  deri në tetor të këtij viti duke qenë zyrtare e Komunës së Prishtinës në sportelin e pagesave të tatimit në pronë ka keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, e pandehura Demolli me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore kur ka marrë pagesën nga qytetarët në shumën prej 10 eurove për lëshimin e vërtetimeve për përmbushjen e taksave komunale për regjistrim të automjeteve të njëjtëve u ka lëshuar fletëpagesën me zero euro.

Ajo pretendohet se nuk ka siguruar me asnjë provë se personat në fjalë u përkasin kategorive të liruara nga pagesat e taksave.

Sipas Prokurorisë, e pandehura Demolli prej muajit mars deri në muajin tetor të 2019 kishte lëshuar 496 vërtetime me fletëpagesa 0 euro, e me këtë është dëmtuar buxheti i Komunës së Prishtinës në shumën prej 4.960 euro.

Gjykatësja e procedurës paraprake Alltën Murseli ka caktuar masën e paraburgimit për shkak se nëse e pandehura gjendet në liri ekziston rreziku për përsëritjen e veprës penale.

Gjithashtu ekziston rreziku i arratisjes ose fshehjes me qëllim të shmangies së procedurës penale.

Zyrtarja e Komunës së Prishtinës është arrestuar më 30 tetor nga Policia e Kosovës.

Arrestohet zyrtarja e Komunës së Prishtinës

www.kallxo.com