'Albin Kurti i ka 2 rrugë: Ose ta lëshoj Kosovën ose të vritet' - 6 muaj burgim me kusht për zyrtarin e Nismës
Haxhi Hoti, zyrtar i partisë Nisma Socialdemokrate dhe njëherësh ish kandidat për deputet nga radhët e kësaj partie, është dënuar me 6 muaj burgim me kusht për veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit, lidhur me statusin e tij në “Facebook” që fliste për kryeministrin Albin Kurti.
Dënimi me burgim ndaj Hotit nuk do të ekzekutohet nëse i njëjti brenda një viti nuk kryen vepër tjetër penale.
Lajmin për KALLXO e konfirmoi mbrojtësi i tij, avokati Rasim Hoti.
“John F. Kennedy Ishte interes i popullit amerikan që të jetë President, por nuk ishte interes i shtetit amerikan që të jetë President. Albin Kurti është interes i popullit të Kosovës ndoshta, po nuk është interes i shtetit të Kosovës të jetë kryeministër. Albin Kurti ika 2 rrugë: ose ta lshoj Kosovën ose të vritet”, kishte shkruar në profilin e tij në “Facebook”, Haxhi Hoti.
Ai ishte arrestuar më 28 dhjetor 2019, nga Policia e Kosovës, pasi përmes një postimi në “Facebook”, kishte thënë se Kurti ose duhet ta lëshojë Kosovën, ose të vritet, pasi sipas tij, nuk është interes i Kosovës që të jetë kryeministër.
Pasi mediat filluan të raportonin, Hoti e kishte fshirë postimin në profilin e tij në “Facebook”, madje edhe kishte kërkuar falje.
Ndërsa, vetë kryetari i LVV-së, Albin Kurti, përmes rrjetit social “Facebook”, kishte kërkuar që ai të lirohej nga paraburgimi për të festuar festat e fund vitit në shtëpi.
“Janë organet e sigurisë që e vlerësojnë këto gjëra, mirëpo ashtu siç nuk jam unë John Kennedy, nuk është as Haxhi Hoti Lee Harvey Osëald. Prandaj nuk mendoj që është ndonjë gjë alarmante”, kishte thënë Albin Kurti.
Dënimi i Hotit erdhi pas rikualifikimit të veprës penale nga Gjykata e Prishtinës, me ç ‘rast trupi gjykues në shpallje të aktgjykimit bëri rikualifikimin e veprës nga shtytja në vrasje në veprën penale të nxitjes së përçarjes dhe mos durimit.