Foto: Arkiv

Shtyhet seanca në rastin e të akuzuarve për tentimvrasjen e Gazmend Halilajt

Seanca ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit, të akuzuar për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë ndaj avokatit Gazmend Halilaj, si dhe për veprën penale armëmbajtje pa leje, e paraparë të mbahej sot, është shtyrë.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar, gjyqtarja e rastit, Alltëne Murseli.

“Kjo seancë është shtyrë me kërkesë të mbrojtjes së të akuzuarit Xhelal Zeqiri, avokatit Jeton Maqedonci”, tha ajo.

Kujtojmë se ish-kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj avokatit Gazmend Halilaj. Me të pranuar fajësinë për veprën penale të kanosjes, ndaj Sami Lushtakut është veçuar procedura penale.

Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri akuzohen për veprat penale tentim vrasje e rëndë, dëmtim të pasurisë dhe armëmbajtje pa leje.

Të akuzuarit Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri pranuan fajësinë vetëm për veprën penale armëmbajtje pa leje ndërsa për tentim vrasje të rëndë dhe dëmtim të pasurisë u deklaruan të pafajshëm.

Sipas aktakuzës së ngritur më 21 tetor 2020 pasi që i dëmtuari avokati Gazmend Halilaj, më 11 prill 2020 kishte postuar një shkrim në “Facebook” kundër Sami Lushtakut, i akuzuari Ibrahim Lushtaku, me qëllim të hakmarrjes ndaj Gazmend Halilajt, së bashku me Xhelal Zeqirin më 14 prill rreth orës 15:50 në rrugën “Muhamet Gashi” në Gllogoc, në hyrje të rrugës i kanë zënë pritë te shtëpia e tij.

Prokuroria pretendon se i akuzuari Ibrahim Lushtaku me veturën “Mistubishi” posa ka ardhur i dëmtuari Gazmend Halilaj me veturën “Nisan Qashai” e ka goditur veturën  e të dëmtuarit Halilaj duke e detyruar atë të dalë nga vetura e tij.

Sipas prokurorisë, pasi vetura e Halilajt është goditur nga vetura e të akuzuarit Lushtaku, ai ka dalë nga vetura e tij dhe ka filluar të ikë për t’iu shmangur sulmit. Në atë moment të akuzuarit kanë dalë me armë nga vetura duke shtënë në drejtim të të dëmtuarit por nuk kanë arritur ta qëllojnë pasi ai kishte hyrë në një lokal.

Ndërsa Sami Lushtaku akuzohej se më 11 prill pasi e ka lexuar postimin e Gazmend Halilaj në Facebook që kishte të bënte me keqpërdorimin e 1.4 milion eurove në kohën e luftës, e kishte thirrur në Viber të dëmtuarin Gazmend Halilaj duke e kanosur dhe kishte kërkuar nga ai që t’i fshijë ato shkrime.

Aktakuza thotë se Lushtaku e kishte sharë, fyer dhe me qëllim të frikësimit e ka kërcënuar me fjalët “ku je se pa ardhë me t’kall nuk kam me e lanë” me ç’rast te i dëmtuari ka shkaktuar frikë dhe ankth.

Po ashtu Ibrahim Lushtaku dhe Xhelal Zeqiri po akuzohet se nga data e panjohur e deri më  22 prill pa lejen e organeve kompetente kanë mbajtur pistoletat e tipit “Ekol” të kalibrit 9 mm dhe “Crvena Zasatava” të kalibrit 9 x 19 mm.

Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që ndaj Ibrahim Lushtakut dhe Xhelal Zeqirit të vazhdojë paraburgimin.

Gjithashtu Prokuroria ka kërkuar nga gjykata që vetura e markës “Mistubishi” dhe pistoletat e tipit “Ekol” dhe “Crvena Zasatava” të konfiskohen.

Kallxo.com edhe më herët ka raportuar për kët rast gjykmi.

Dëgjohen dëshmitarët në rastin e të akuzuarve për tentimvrasjen e Gazmend Halilajt