Çekani i drejtesise - Ilustrim

E pranon fajësinë i akuzuari për keqpërdorim detyre në OJQ-në “Shpëto Jetë”

Xhavit Gashi, i cili akuzohet nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare si person i autorizuar i OJQ-së “Shpëto Jetë”, e ka pranuarr fajësinë.

Në shqyrtimin e sotëm i akuzuari pasi pyetet nga gjyqtarja Alltëne Murseli sa i përket fajësisë, deklaroi se ndihet fajtor.

“Fajësinë e pranoj, veprën komplet, kërkoj nga Gjykata masë më të lehtë sepse jam penduar për veprën, kam qenë i ri”, tha i akuzuari.

Prokurorja e rastit Besa Limani tha se qëndron në tërësi prapa aktakuzës dhe e pranon pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Në këtë rast gjithashtu kanë qenë të akuzuar edhe Abedin Hysa dhe Bekim Hamiti, mirëpo për ta është veçuar procedura.

Gjykata do ta shpallë aktgjykimin më 14 prill.

Sipas aktakuzës, i akuzuari në bashkëkryerje me dy të akuzuarit e tjerë kanë keqpërdoruar detyrën duke shfrytëzuar nevojën dhe sëmundjen e djalit të të dëmtuarit H.N.

Të akuzuarit si punëtorë të autorizuar nga OJQ “Shpëto Jetë”, duke u bazuar në aktakuzë, i kanë sjellë vetes përfitime pasurore, duke marrë pjesë në aksionin e iniciuar nga kjo organizatë.

Sipas aktakuzës, të njëjtit kanë mbledhur fonde në shumën rreth 15,000 euro dhe vetëm 4,200 euro i janë dorëzuar të dëmtuarit, e në këto baza Prokuroria edhe po i akuzon.