Mes lotëve të nënës, dënohet polici për shpërndarje të kokainës

Ish pjesëtari i policisë së Kosovës, Bunjamir Jaha është dënuar të hënën me 3 vjet burg pasi u shpall fajtor për transportim të kokainës.

Pak para se të fillonte seanca, nëna e policit të akuzuar shihej tek qante me lot.

Bashkë me Jahën u dënua edhe i akuzuari tjetër në këtë rast Pajtim Hamiti.

Hamiti u dënua me 3 vjet e gjysmë burg.

Që të dy akuzoheshin se bënin pjesë në njërin nga rrjetet më komplekse të shpërndarjes së kokainës në Kosovë, rrjet ky i cili sipas Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përbëhej prej nëntë personave, duke përfshirë edhe ish pjesëtarin e Policisë së Kosovës.

Për shpërndaje të kokainës dhe marihuanës, nga Prokuroria Speciale po akuzohen Bunjamir Jaha, Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbim Berisha dhe Ardonit Mustafa.

Bunjamir Jaha e Pajtim Hamiti gjatë shqyrtimit fillestar në Gjykatën Prishtinës ishin deklaruar fajtorë.

Ata akuzohen se kanë shitur kokainë dhe kanabis në territorin e Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave.

Sipas aktakuzës ish polici Bunjamir Jaha pasi ishte furnizuar me kokainë në Shqipëri, ishte ndalur në pikën kufitare të Vërmicës për kontrolle dhe i ishin gjetur 549.44 gramë kokainë.

Ndërsa në banesën e të akuzuarit Shpejtim Hamiti pas kontrollit policia kishte gjetur se aty po përgatitej kokaina dhe kanabisi.

Në këtë banesë ishin zënë 2 gramë gramë kokainë si dhe 5.54 gramë kanabis e bashkë me to edhe peshoja elektrike për matjen, ndarjen, renditjen dhe sistemimin e drogave.