Gjykata Themelore e Prishtinës - Foto: KALLXO.com

Në mungesë të njërit nga të akuzuarit, dështon seanca për trafikim të kokainës

Mungesa e të akuzuarit Shpejtim Hamiti, ka bërë që të mos mbahet seanca gjyqësore ndaj 7 personave të akuzuar për shpëlarje parash dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve e planifikuar të mbahej në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Të akuzuar në këtë rast janë Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Bashkim Braha, Shkëlqim Ilazi, Arburim Ahmeti, Shkumbin Berisha dhe Ardonit Mustafa, të cilët në territorin e Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave, kanë shitur kokainë dhe kanabis.

Në fillim të seancës gjyqësore, avokati Islam Musa i cili e mbron të akuzuarin Shpejtim Hamiti deklaroi se klienti i tij ka disa probleme shëndetësore dhe për këtë arsye nuk ka mundur të jetë prezent në këtë seancë.

Më pas kryetari i trupit gjykues, Mentor Bajraktari, bëri të ditur që seancat e radhës për këtë gjykim do të mbahen me 6 dhe 7 prill.

Kujtojmë se të akuzuar në këtë çështje penale kanë qenë edhe zyrtari policor, Bunjamir Jaha, i cili ishte dënuar me tre vite burgim, si dhe Pajtim Hamiti, i dënuar me tre vite e gjashtë muaj burgim, ndaj të cilëve ishte veçuar procedura, pasi në seancën fillestare të mbajtur më 6 nëntor 2020, ata e kishin pranuar fajësinë.

Sipas Prokurorisë, prej datës 16 maj 2018 e deri më 7 tetor 2018, i akuzuari Bunjamir Jaha së bashku me të akuzuarit e tjerë Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi në territorin e Ferizajt, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave, kanë shitur kokainë dhe kanabis.

Pasi të akuzuarit i kishin ndarë rolet, i akuzuari Bunjamir Jaha tashmë ish-zyrtarë policor ishte furnizuar me kokainë në Shqipëri dhe kur kishte arritur në pikën kufitare të Vërmicës i akuzuari ishte ndaluar për kontroll me ç’rast i është gjetur një sasi kokaine.

Në të njëjtën kohë në qytetin e Ferizajt është kontrolluar banesa e marrë me qira nga i akuzuari Shpejtim Hamiti, në të cilën përgatitej kokaina dhe bëhej gati për shtije.

Në këtë banesë ishin gjetur edhe një sasi e kokainës, gjithashtu e kanabisit si dhe peshoja elektrike për matjen, ndarjen, renditjen dhe sistemimin e drogave.

Ky rast ishte hulumtuar nga Kreshnik Gashi dhe emisioni “Drejtësia në Kosovë” kishte transmetuar hulumtimin “Polici në rrjetin e kokainës” më 26 prill 2019.

https://kallxo.com/ligji/9-te-akuzuarit-per-trafikim-te-kokaines-deklarohen-rreth-fajesise/