Dalin para gjykatës të dyshuarit për rrjet të kokainës

Shtatë persona po akuzohen nga Prokuroria Speciale për trafikim të drogës dhe shpërlarje parash.

Bunjamir Jaha së bashku me Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi  dyshohet se në territorin e Ferizajit, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave kanë shitur kokainë dhe kanabis

Mbrojtësit e të akuzuarve kundërshtuan aktakuzën duke bërë kërkesë për hedhjen e saj.

Të kundërtën e mbrojtësve, e pretendoi Prokuroria Speciale, duke i kërkuar gjykatës  që këtyre kundërshtimeve të mos ia fal besimin por të njëjtat t’i refuzojë si të pa bazuara.

Islam Musa, avokati i të akuzuarit Shpëtim Hamiti kërkoi që klienti i tij të lirohet nga paraburgimi dhe të mbetet në arrest shtëpiak. E njëjta gjë u kërkua edhe për të akuzuarin Bashkim Braha.

Prokuroria Speciale e kundërshtoi këtë propozimi

Gjykata më pas e pranoi pjesërisht  propozimin e përbashkët të mbrojtësve dhe të pandehurve Shpejtim Hamiti dhe Bashkim Braha i zëvendësoi masën e paraburgimit me atë të  arrestit shtëpiak, përderisa  u refuzua propozimi i mbrojtësit për heqjen e masës se paraburgimit kundër të pandehurit Flamur Hamiti.

Sipas Prokurorisë, prej  datës 16 maj 2018 e deri më 7 tetor 2018, i akuzuari Bunjamir Jaha së bashku me të akuzuarit e tjerë Shpejtim Hamiti, Flamur Hamiti, Pajtim Hamiti, Bashkim Braha dhe Shkëlqim Ilazi në territorin e Ferizajit, Kaçanikut dhe fshatrave të këtyre komunave kanë shitur kokainë dhe kanabis.

Gjithnjë sipas aktakuzës, pasi të akuzuarit i kishin ndarë rolet, i akuzuari Bunjamir Jaha ishte furnizuar me kokainë  nga Republika e Shqipërisë  dhe kur kishte arritur në pikën kufitare të Vërmicës, ai ishte ndaluar për kontroll dhe i ishte gjetur kokainë në sasi 549.44+0.0001 gramë.

Në seancën e kaluar Bunjamir Jaha dhe Premtim Hamiti, kishin pranur fajësinë dhe ishin dënuar nga gjykata.

Bunjamir Jaha është edhe ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.

Mes lotëve të nënës, dënohet polici për shpërndarje të kokainës