Haxhi Shala - Foto: Facebook

Ish-deputeti Haxhi Shala sot del para gjyqit në Hagë, akuzat me të cilat ngarkohet ai

Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haxhi Shala, pritet të paraqitet në Gjykatën Speciale në Hagë.

Seanca do të fillojë në orën 14:00, në sallën e gjyqit të Dhomave të Specializuara.

Shala po akuzohet se në bashkëkryerje me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin u përpoqën ta “bindnin një dëshmitar të mos dëshmonte” në gjyq.

Sipas aktakuzës, me udhëzim të Shalës, Januzi dhe Bahtijari u takuan secili më vete me dëshmitarin 1 në dy raste për ta nxitur atë që të tërhiqte dëshminë, ose të mos jepte dëshmi përmes kërcënimit të rëndë apo premtimit për përfitime.

Aktakuza madje pretendon se dëshmitari ka deklaruar se nëse do t’i ofronin 200 mijë euro, ata do të arrinin një marrëveshje.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenurit dëshmitar. Januzi tha se do t’u tregonte atyre” atë që kishte thënë dëshmitari 1”- sqarohet në aktakuzën e publikuar.

Si i përshkruan Prokuroria takimet?

Aktakuza thotë se kontakti i parë mes palëve ka ndodhur më 5 prill, kur Haxhi Shala ka telefonuar Sabit Januzin dhe më pas Ismet Bahtijari po ashtu ka thirrur Januzin.

Më pas, sipas Prokurorisë, Bahtijari ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit dhe i ka thënë se Shala e ka dërguar për t’i thënë se ai duhet ta tërhiqte dëshminë e tij.

“Bahtijari u largua nga shtëpia e dëshmitarit dhe shkoi në një makinë aty pranë ku po prisnin dy burra, me një person të tretë në ulësen e shoferit” – thuhet më tej në aktakuzë.

Kjo, sipas Prokurorisë, ka bërë që dëshmitari të brengoset për sigurinë e familjes së tij.

Pas kësaj vizite, thuhet se Januzi kishte kontaktuar përmes telefonit ndaras me Shalën dhe Bahtijarin për të koordinuar një takim personal në të njëjtën mbrëmje.

“Në ditët në vijim, Shala dhe Januzi, mes te tjerëve, qëndruan në kontakt, duke përfshirë lidhjen me telefon të paktën katër herë midis 6 prillit dhe 9 prillit 2023” – vazhdon aktakuza.

Kontakti i dytë, gjithmonë sipas Prokurorisë Speciale, ka ndodhur më 12 prill, kur Januzi pak pasi ka telefonuar Shalën, ka shkuar në shtëpinë e dëshmitarit.

“Januzi i tha atij se Shala i kishte kërkuar të vazhdonte vizitën e Bahtijarit dhe të zbulonte se çfarë kishte planifikuar të bënte Dëshmitari 1 dhe si mund të trajtohej çështja e dëshmisë së tij” – thuhet në aktakuzë.

Siç thuhet në aktakuzë, Januzi i kishte thënë dëshmitarit se mesazhi i Shalës është se nëse ai e tërheq dëshminë e tij atëherë Shala dhe persona të tjerë do t’i ofronin atij “ndihmë”.

“Dëshmitari 1 u përgjigj se nëse Shala dhe/ose të tjerët i sjellin atij 200 mijë euro, ata do të kishin një marrëveshje. Dëshmitari 1 nuk e konfirmoi apo mohoi të qenurit dëshmitar. Januzi tha se do “t’u tregonte atyre” atë që kishte thënë Dëshmitari 1”.

Menjëherë pas kësaj vizite, Prokuroria pretendon se Januzi ka thirrur përsëri Shalën.

Si pasojë e këtij kontakti, Prokuroria thotë se Dëshmitari 1 ishte edhe më tej i shqetësuar për sigurinë e tij dhe të familjes së tij.

Veprimet e fundit të Zyrës së Prokurorisë së Specializuar

Shala u arrestua në vazhdën e aksioneve të ZPS-së në kuadër të procesit hetimor që përqendrohet në vepra penale kundër administrimit të drejtësisë.

Që nga fillimi i muajit nëntor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kryer disa bastisje në Kosovë, duke përfshirë pronat e ish-këshilltarëve të Hashim Thaçit.

ZPS kishte njoftuar se operacionet janë zhvilluar në një proces hetimor në drejtim të veprave penale kundër administrimit të drejtësisë.

ZPS në njoftimin e saj të mëhershëm kishte deklaruar se do të hetojë dhe do të ndjekë penalisht të gjithë ata që i frikësojnë apo ndërhyjnë te dëshmitarët, ose “ofrojnë mbështetje financiare apo të ndonjë forme tjetër për vepra të tilla penale”.

Gjithashtu gjatë këtij viti, në Gjykatën Speciale janë intervistuar disa persona të cilëve u ishin konfiskuar telefonat, në mesin e tyre edhe ish-komandantin e Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa.

Rastet gjyqësore në Dhomat e Specializuara në Hagë

Aktualisht, në Dhomat e Specializuara janë duke u zhvilluar disa raste gjyqësore, përfshirë edhe rasti ndaj ish-krerëve të UÇK-së – Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi – që akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në një proces ndaras, me akuza të ngjashme për krime lufte po përballet edhe ish-pjesëtari i UÇK-së, Pjetër Shala. Ai akuzohet për keqtrajtimin dhe vrasjen e njërit prej të ndaluarve në burgun e supozuar në fabrikën e metalit në Kukës të Shqipërisë, e cila ishte në përdorim nga UÇK-ja.

Në këtë gjykatë po zhvillohen edhe procese kundër administrimit të drejtësisë, për të cilat me vendim fajësie janë dënuar Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj. Gucati u lirua me kushte të përcaktuara kurse Haradinaj vijon të mbetet në vuajtje të dënimit pasi lirimi i parakohshëm nuk iu aprovua si shkak i ‘mos respektimit të rregullave’.

Me akuza për frikësimin gjatë procedurave penale dhe pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare po përballën edhe Ismet Bahtijari dhe Sabit Januzi të cilët në paraqitjen e tyre të parë janë vetëdeklaruar të pafajshëm.

Ndërkaq, çështja e ish-komandantit “Cali”, Salih Mustafa, i akuzuar për krime lufte, ndodhet në fazën e Apelit, ku pritet që vendimi të shpallet më 14 dhjetor.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës janë themeluar mbi bazën e një marrëveshje ndërkombëtare, e miratuar nga Kuvendi i Kosovës, nëpërmjet një amendamenti kushtetues, dhe në përputhje me Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Këto institucione janë të përkohshme dhe i janë dhënë një mandat dhe juridiksion i caktuar për të hetuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, krime lufte dhe krime të tjera sipas legjislacionit të Kosovës.

Veprat penale që janë në fokus kanë ndodhur midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 2000, duke përfshirë ato që janë kryer nga individë me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë, si dhe ato që janë kryer kundër personave me shtetësi të Kosovës ose të Republikës Federale të Jugosllavisë.

Dhomat e Specializuara dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës kanë selinë e tyre në Hagë, Holandë.