Ish asamblistja e partisë KDTP-së dënohet me 250 euro për mosdeklarim të pasurisë

Cenet Zubani, ish asambliste e partisë KDTP – Kosova Demokratik Türk Partisi sot është dënuar me 250 euro gjobë nga gjykata e Prizrenit.

Zubani, u gjet fajtore për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

E njëjta, pas leximit të aktakuzës nga ana e përfaqësuesit të prokurorisë Shpend Binaj në seancën e shqyrtimit fillestar ka pranuar fajësinë dhe ka deklaruar se nuk e ka ditur dhe nuk ka qenë e njoftuar se duhet ta deklarojë pasurinë, prandaj këtë e ka bërë me vonesë. Ajo theksoi se është penduar dhe do të jetë më e kujdesshme ndaj institucioneve të Kosovës.

Prokurori i çështjes Shpend Binaj nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarës Zubani.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjykatësit Fatmir Krasniqi, asamblistja u dënua me 250 euro gjobë.

Ajo gjithashtu është e obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 30 eurove dhe në emër të taksës për programin e kompensimit të viktimave shumën prej 30 eurove, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Sipas aktakuzës të datës 28 Prill 2021, Cenet Zubani u ngarkua se ka kryer veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Sipas prokurorisë, në periudhën kohore nga 1 marsi deri më 19 qershor 2020, Cenet Zubani në cilësinë e këshilltares në Asamblenë Komunale të Prizrenit, nuk e ka bërë deklarimin e rregullt të pasurisë në afatin e paraparë ligjor në Agjencinë Kundër Korrupsion në Prishtinë.

Në aktakuzë thuhet se ky obligim është për të gjithë zyrtarët e lartë publik dhe vonesa ka ndodhur edhe përkundër faktit se e njëjta ka qenë e informuar paraprakisht dhe ka qenë në dijeni për obligimin e deklarimit të pasurisë.

Që nga ngritja e aktakuzës vetëm pas 7 muajve gjykata ka arritur të caktojë shqyrtimi fillestar ku asamblistja ka pranuar fajësinë për veprën me të cilën u akuzua.

Kryesi i kësaj vepre, sipas ligjit dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vite.