Nol Nushi Foto: Facebook

Edhe asamblist në Prishtinë, edhe shef i kabinetit të Kryetarit në Kamenicë

Nol Nushi, asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës, nga sot do të jetë edhe shef kabinetit të kryetarit të Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastratit.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com vet Noli Nushi, asamblist i grupit të pavarur të Kuvendit Komunal të Prishtinës, të cilët së fundi janë inkuadruar në Partinë Social Demokrate të Kosovës.

“Po, është plotësisht e vërtetë, sot do ta nënshkruajmë vendimin dhe nga sot e tutje besoj se ka me qenë aty”, tha Nol Nushi për KALLXO.com.

Ai thotë se sipas interpretimeve që i kanë parë, nuk çon peshë fakti që është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës dhe tani shef kabineti në Komunën e Kamenicës.

“Në procedurat që i kemi parë ne është krejt e ligjshme sepse ky është emërim politik dhe i takon kryetarit të Komunës të vendos se kë dëshiron ai dhe në bazë të interpretimit tonë është i ligjshëm, por sigurisht që kemi kërku edhe interpretim tjetër nga instancat e tjera me pas përfundimisht nëse është e ligjshme apo jo”, tha tutje Nol Nushi për KALLXO.com.

Sipas tij, ka shumë punë në Komunën e Kamenicës dhe nuk e di nëse do të jetë deri në fund të mandatit në këtë pozitë apo për një kohë të caktuar.

Nushi nuk e sheh si problem faktin që tani do të jetë i kyçur në dy komuna si zyrtarë. Ai thotë se përkushtimi nuk do t’i mungojë

“Punët janë të ndame dhe të natyrave të ndryshme, asambleja është njëherë në muaj, por unë besoj se duke i pasë parasysh kohën dhe aftësitë që i kam besoj se mundem me ia dal, sepse nuk janë dy detyra që munden me u përplasë shumë me njëra tjetrën. Me u marrë me problemet e Prishtiëns nuk ka nevojë edhe fort me qenë në Prishtinë sepse kam kontakt të vazhdueshëm me qytetarët edhe kështu besoj që kalojmë mirë”, tha në mes tjerash Nushi për KALLXO.com

Edhe vet kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati mandatin e kaluar ishte shef i asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, por pastaj u kthye në Kamenicë ku edhe u zgjodh kryetar komune.

Ditë më parë, KALLXO.com shkroi se si Komuna e Kamenicës në dokumentet e saj ka përdorur logon institucionale të Komunës së Prishtinës.

Nga Komuna e Kamenicës kishin deklaruar se ka qenë gabim teknik.

http://kallxo.com/komuna-e-kamenices-leshon-dokument-me-logo-te-komunes-se-prishtines/