Foto Fcb: Edis Aljilji

Asamblisti i koalicionit VAKAT dënohet me 400 euro për mosdeklarim të pasurisë

Edis Aljilji, asamblist i partisë VAKAT në Kuvendin Komunal të Prizrenit, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 400 euro gjobë.

Aljilji, u gjet fajtor për mosdeklarim të pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

I njëjti, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij në seancën e shqyrtimit kryesor ka pranuar fajësinë dhe ka deklaruar se nuk e ka ditur dhe nuk ka qenë i njoftuar se duhet ta deklarojë pasurinë, prandaj këtë nuk e ka bërë me kohë.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit nga ana e gjykatëses Shpresa Emra, asamblisti u dënua me 400 euro gjobë.

Ai gjithashtu është i obliguar që t’i paguajë shpenzimet e procedurës penale dhe atë në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 20 eurove dhe në emër të taksës për programin e kompensimit të viktimave shumën prej 30 eurove, nga dita e plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

Me rastin e shqiptimit të dënimit, gjykata nuk ka gjetur ndonjë rrethanë të veçantë rënduese e cila do të ndikojë në llojin dhe lartësinë ë dënimit. Kurse, si rrethana lehtësuese gjykata ka marrë parasysh pranimin e fajësisë nga i akuzuari, ishte hera e parë që bie ndesh me ligjin si dhe gjykata ka marrë parasysh faktin se ai nuk ka qenë i informuar se duhet ta bëjë deklarimin e pasurisë dhe vetëm pasi është informuar menjëherë e ka deklaruar në AKK.

Edis Aljilji akuzohej se nga data 1 mars e deri më 31 mars 2018, në pozitën e këshilltarit të Asamblesë Komunale në Prizren, nuk e bën deklarimin e pasurisë, të të ardhurave, të dobisë tjetër pasurore ose të detyrimeve financiare.

Sipas aktakuzës, ai nuk deklaron pasurinë e tij për periudhën e vitit 2017, edhe pse këtë është dashur ta bëjë deri më 31 mars 2018, përkundër asaj që i njëjti ka qenë i njoftuar nga Agjencia Kundër Korrupsionit.

Për këtë, Edis Aljilji akuzohet se ka kryer veprën penale mos raportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare.

Kryesi i kësaj vepre, sipas ligjit dënohet me gjobë dhe me burgim deri në 3 vite.