Një asamblist në Suharekë i përfshirë në një rrahje në ceremoni të varrimit

Komandanti i stacionit policor në Suharekë, Milazim Lumi ka thënë se dje ka ndodhur një rrahje mes dy personave, njëri prej të cilëve është asamblist i Kuvendit Komunal të Suharekës.

“E kemi një rast të hapur dje me datë 25 dhjetor, një rast lëndim i lehtë trupor ku janë të përfshirë dy qytetarë. Kjo ngjarje ka ndodhur në përfundim të një ceremonie të varrimit, pra ka ndodhur mes një qytetari i cili është i papunë i moshës 30 vjeçare dhe një këshilltari komunal”, ka thënë Lumi për Kallxo.com.

Më tej komandanti i Policisë ka thënë se dy personat që janë përfshirë në rrahje kanë mbiemër të njëjtë.

“Nuk mundem m’e ditë afërsinë e tyre por me mbiemër janë të njëjtë. Është njoftuar prokurori, janë marrë veprimet, domethënë është në hetim”, ka theksuar ai.

Kallxo.com e ka pyetur Lumin nëse edhe qytetari tjetër i përfshirë në rrahje është anëtar i ndonjë partie politike, por ai ka deklaruar se gjatë marrjes së deklaratave personi në fjalë nuk është deklaruar në lidhje me përkatësinë partiake.

“Jo, nuk kanë paraqitë diçka në momentin e deklaratave (përkatësia partiake). Tash pritet me i marrë deklaratat e dyta prej hetuesit edhe me hy më në detaje nëse ka të bëjë diçka me atë që juve po ju intereson (përkatësia politike). Në deklaratën e tij nuk e ka cekur se është aktivist i Vetëvendosjes, por ka thënë se është i papunë”, ka shtuar Lumi.