Asamblisti i PDK-së në Gjilan dënohet nga Gjykata për mos deklarimin e pasurisë

 

Riza Abdyli, asamblist i PDK-së, në Komunën e Gjilanit është dënuar nga Gjykata e për mosdeklarim të pasurisë.

Në fillim të seancës i akuzuari Abdyli deklaroi se nuk e ka ditur saktë procedurën, se si duhet të bëhet deklarimi i pasurisë.

Sipas Prokurorisë i akuzuari Riza Abdyli, në cilësinë e zyrtarit publik, Këshilltar i Asamblesë Komunale në Gjilan, ka qenë i detyruar me ligj ta bëjë deklarimin e pasurisë për vitin 2018, andaj e ka kaluar afatin ligjor për deklarim që ka qenë 31.03.2019 dhe nuk e ka bërë deklarimin e të ardhurave të tij.

I akuzuari Riza Abdyli, pasi iu lexua aktakuza nga prokurori Shefik Memeti deklaroi se e pranon fajësinë duke thënë se është hera e parë që vije në Gjykatë.

“Unë e pranoj se kam përgjegjësi, andaj e pranoj fajësinë ashtu siç e lexoi prokurori, ashtu edhe ka qenë. Kërkoj nga Gjykata qe të më shqiptoj një dënim sa ma të butë pasi që është hera e parë që dal para një gjykatësit”, tha i akuzuari Abdyli.

Prokurori i shtetit nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Abdyli.

”Pasi që i akuzuari deklaroi se me vullnet të plotë dhe me vetëdije të lart e pranon fajësinë edhe ne si Prokurori nuk e kundërshtojmë këtë. E lus Gjykatën që t`i ketë parasysh rrethanat si ato lehtësuese, ashtu edhe ato rënduese për të akuzuarin”, tha prokurori Memeti.

Tutje gjykatësi Behar Ymeri vazhdoi me shqiptimin e dënimit për të akuzuarin.

“Gjykata konsideron se pasi që i akuzuari e ka pranuar fajësinë, me një dënim me gjobë në shumën prej 600 euro do të arrihet qëllimi i dënimit”, tha shkurt gjykatësi Ymeri.