Hagë, ish-ambasadori Dedaj kërkon seancë të mbyllur 'për të mbrojtur familjen dhe integritetin'

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka kërkuar që seanca të zhvilliohet e mbyllur për publikun.

Dedaj po vijon të japë dëshminë e tij në Dhomat e Specializuara në kuadër të gjyqit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, të cilët po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai është duke u pyetur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar për ngjarjet që kishin ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Në senacën e së martës, Dedaj ka ripërsëritur kërkesën e tij që seanca të mbahet në mënyrë të mbyllur, duke argumentuar këtë vendim me nevojën për të mbrojtur veten dhe familjen e tij nga rreziqet e mundshme.

“Keni bërë padrejtësi ndaj meje, në pyetjet që po mi bëni… Së pari jam përgjegjës të mbroj familjen time dhe fëmijët. Kam kërkuar seancat të jenë të mbyllura që të mos rrezikohet familja dhe e ardhmja ime në Kosovë”- ka deklaruar Dedaj.

Megjithëse gjykimi po vijon në tërësi i hapur për publikun por në ndonjë pyetje po kalon në senacë të mbyllur.

 

Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit që të dëshmojë në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.