Foto: KALLXO.com

Gjykimi për drogë, avokati kërkon hedhjen e aktakuzës

Gjykata e Prishtinës ka refuzuar kërkesën e Naim Rudarit, avokat i Altron Maxhunit, i akuzuar për drogë, për hedhjen e aktakuzës.

Gjykatësja e rastit, Shpresa Hyseni, deklaroi se ka prova të mjaftueshme që të vazhdohet tutje.

Ndërsa, i akuzuari u deklarua i pafajshëm për veprën për të cilën akuzohet.

Avokati Naim Rudari kishte kërkuar hedhjen e aktakuzës me arsyetimin se raporti i ekzaminimit për substanca narkotike i bërë vetëm nga Policia nuk është dërguar fare në forenzikë.

Altron Maxhuni akuzohet për posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.

Në bazë të aktakuzës, në shtator të vitit 2018 ishin gjetur dhe konfiskuar në banesën e Maxhunit një qese e madhe me substancë narkotike të llojit marihuanë, tri qese të vogla ne substancë narkotike të llojit marihuanë dhe një peshore elektronike të cilat pretendohet se i ka poseduar me qëllim të shpërndarjes personave tjerë për konsumim.