Gjykimi ndaj Enver Sekiraqës, mbyllet seanca për publikun me kërkesën e dëshmitarit Faton Shoshi

 

Është paralajmëruar që sot i akuzuari Enver Sekiraqa, do të përballet me deklaratën e dëshmitarit Faton Shoshi, për rastin e vrasjes së Triumf Rizës.

Mirëpo në këtë shqyrtim, njëjtë sikurse në shqyrtimet tjera ku ai ka dëshmuar, dëshmitari Shoshi kërkoi nga gjykata që t`i mundësohej që të deklarohet pa prezencën e publikut.

“Prita deri të fillojë gjykimi se për shkak të ndjeshmërisë së rastit dhe personave që përmenden në rast të cilët nuk po dua me i dëmtu edhe veten kërkoj që prapë të më lejohet që seanca të jetë e mbyllur”, tha Shoshi.

Në këto rrethana, trupi gjykues mori vendim që të përjashtohet publiku dhe shqyrtimi të vazhdojë i mbyllur.

Në seancën e djeshme, janë dëgjuar deklaratat e dëshmitarëve Gazmend Hoti dhe Blerim Shala.

Kujtojmë se Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Dëshmitari: Enver Sekiraqa e kishte kërcënuar Triumf Rizën “Kam me ta hangër kryet”