Foto: KALLXO.com

Dëshmitari: Enver Sekiraqa e kishte kërcënuar Triumf Rizën “Kam me ta hangër kryet”

Në pjesën e dytë të seancës së sotme të gjykimit të Enver Sekiraqës, i akuzuar për nxitje të vrasjes së policit Triumf Riza, u dëgjua dëshmia e Blerim Shalës, polic i Kosovës që nga viti 2001.

Blerim Shala tha se përveç raporteve kolegiale me tashmë të ndjerin Triumf Riza kishin ndërtuar edhe raporte shoqërore, meqenëse ishin gjenerata e parë e mbrojtjes së afërt dhe e kanë krijuar shoqërinë prej kohës kur kanë qenë në shkollën policore.

Në dëshminë e tij, Blerim Shala përmendi problemet e Triumf Rizës me të akuzuarin Enver Sekiraqa dhe me këtë rast përmendin djegien e makinës së të ndjerit, kërcënimi me granatë dore e deri te konflikti në “Swiss Casino”.

Dëshmitari tha se Triumf Riza i kishte thënë se nuk ndihej i sigurt e madje, sipas tij, i kishte rrëfyer kërcënimet e marra nga tani i akuzuari.

“Saktë nuk mundem me e përpilu, por sa më kujtohet: “Kam me ta hangër kryet’”, tha dëshmitari.

Madje njëjtë ishte ndjerë edhe Arben Selmanaj, një koleg tjetër, e njëkohësisht shok i dëshmitarit dhe i të ndjerit, i cili sipas dëshmitarit 3-4 ditë pas vrasjes së Triumf Rizës kishte dhënë dorëheqje dhe ishte larguar për në Amerikë.

“Pasi që vrasësi është në arrati, grupi i tij është në arrati, unë nuk ndihem i sigurt”, tha Blerim Shala t’i ketë thënë Arben Selmanaj në të pamen e Triumf Rizës.

Ndër të tjera dëshmitari potencoi se në njërin ndër konfliktet e lartcekura i akuzuari Sekiraqa e kishte kërcënuar tani të ndjerin Riza me fjalët: “Ja ti, ja unë,  se mua nuk guxon me m’ndal as gjeneral”.

Në cilësinë e dëshmitarit në këtë rast është ftuar edhe Faton Shoshi, i cili do të dëgjohet nesër.

Kujtojmë se Enver Sekiraqa, sipas aktakuzës, ngarkohet se kishte nxitur Arben Berishën për vrasjen e Triumf Rizës, vrasje që ndodhi më 30 gusht 2007.

Gjithnjë sipas Prokurorisë, Triumf Riza ishte vrarë më 30 gusht 2007 pasi kishte dalë nga lokali ‘AM:PM’, duke shkuar në drejtim të makinës së tij ishte qëlluar me 11 plumba prapa shpinës nga Arben Berisha dhe tre prej tyre ishin vdekjeprurës për të.

Sipas mbrojtjes së Sekiraqës, ai nuk kishte të bënte asgjë me Arben Berishën dhe se Sekiraqa në asnjë mënyrë nuk e kishte nxitur, urdhëruar apo nuk i kishte premtuar dhuratë Arben Berishës.

Arsyeja se pse Arben Berisha e kishte vrarë Triumf Rizën, sipas mbrojtjes së Sekiraqës, kishte qenë shkaku se Triumf Riza disa herë e kishte rrahur Arben Berishën.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët u dëgjuan për këtë rast ishte edhe vetë i dënuari për vrasjen e Triumf Rizës, Arben Berisha.

Arben Berisha gjatë dëshmisë së tij kishte deklaruar se Enver Sekiraqën e kishte njohur vetëm si figurë.

Gjatë dëshmisë së tij Berisha gjatë gjithë kohës ka insistuar se nuk kishte kryer asnjë shërbim për Sekiraqën, duke theksuar se ndjehej shumë i penduar pse e kishte vrarë Triumf Rizën.

“Po unë e kam kry këtë vrasje, unë veten nuk e ndjej fajtor se unë Triumfin e kam vra për arsye të mia dhe e kam cekur edhe në deklarata dhe jam penduar shumë për këtë gjë”, kishte thënë Berisha.

Për vrasjen e Triumf Rizës Arben Berisha si ekzekutor ishte dënuar me 35 vite burg.

Në maj të vitit 2016, Gjykata e kishte gjetur fajtor dhe dënuar me 37 vjet burg Enver Sekiraqën ndërsa pas ankesës së mbrojtjes, Apeli e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

https://kallxo.com/lajm/visar-riza-enver-sekiraqa-ma-ka-vra-vellane/

https://kallxo.com/ligji/gjykimi-ndaj-sekiraqes-deshmitari-gazmend-hoti-rrefen-per-diten-kur-ishte-vrare-shoku-i-tij-triumf-riza/