Foto: Kallxo.com

Gjykimi i 'Stentat 2': Si e zbuloi pacienti se në Kosovë ia kishin vendosur një stentë tepër

Një pacient nga Lipjani tha sot në gjykimin në rastin “Stenta” se mjekët në një spital privat në Kosovë i kishin vendosur dy stenta ndërsa kur kishte shkuar për kontroll në një spital në Shkup kishte marrë konstatimin e mjekëve.

E një tjetër i tregoi gjykatës se si kishte shkuar fillimisht për një stentë në një spital privat dhe kishte dalë nga aty edhe me tri të tjera.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale për këtë rast pretendon për një rrjet abuziv të mjekëve. Në Rastin ‘Stenta’ të akuzuar janë 44 mjekë dhe 1 infermier të punësuar në institucione publike shëndetësore dhe 13 punonjës ose ish-punonjës të sektorit privat shëndetësor.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në cilësinë e mjekut pasi i kanë referuar pacientët ne spitalet private “IMH” dhe “EDA”, kanë marrë ryshfet dhe atë për çdo pacient të referuar kanë marrë nga 500 euro ndërsa për koronarografi kanë marrë nga 150 euro.

Sot në gjykatën e Prishtinës ka vazhduar shqyrtimi gjyqësor me dëgjimin e dëshmitarëve Shaban Shala, Islam Sejdiu në rastin e njohur për publikun “Stenta 2”.

Dëshmitari Shaban Shala, deklaroi se është dëmtuar materialisht dhe nuk ishte kompensuar për 10.000 eurot që i kishte paguar në spitalin ‘Eda’. Lidhur me këtë kishte kërkuar  kompensim në Ministri të Shëndetësisë, për shkak të operimit të nënës së tij për një problem shëndetësor që ajo e kishte pasur.

Më tuje, dëshmitari Shala deklaroi se kur kishin shkuar në QKUK, në repartin e Kardiologjisë se bashku me nënën e tij, prezent kishte qenë Dr. Masar Gashi.

“Dr. Masar Gashi  na ka thanë paraprakisht se ai shërbim nuk bëhet këtu, dhe ai tha janë dy spitale private, emrat nuk mi ka përmendë, por kur i thash unë qysh me kontaktu me ato spitale, ma dha numrin e spitalit privat ‘Eda’, dhe më tha thirre se ata vijnë vet e marrin nënën”, tha dëshmitari Shaban Shala.

“Ne e kemi kontaktuar me Lulzim Brovinën te spitali ‘Eda’ pastaj ka dalë një maqedon e kane shti në sallë, dhe kane thanë duhet me vendosë një stentë. Dr.Lulzim Brovina ka thanë se duhet fillimisht me vendosë një stentë, e pastaj e shikojmë nëse ka nevoje për stenta tjera. Më ka thanë e para kushton 4,000 euro, mandej pasi është kryer intervenimi i parë, ka dalë në doktor maqedoni dhe ka than duhet me ja vendos edhe tri tjera, ato stenta tri-jat komplet kanë kushtu 11,000 euro, ndërsa 1,000 euro na kanë zbritë. Stentat ju kanë vendosur të nesërmen në mbrëmje”, tha dëshmitari.

Ndërsa dëshmitari tjetër, Islam Sejdiu, vozitës i Shtëpisë së Shëndetit në Lipjan, deklaroi se pasi që kishte shkuar në QKUK ishte pranuar në repartin e Kardiologjisë, për shkak të dhimbjeve të gjoksit që kishte pasur.

Dëshmitari tha se aty kishte qenë prezent Dr. Fisnik Hima, i cili sipas deklaratës së dëshmitarit kishte thënë se nuk kanë mundësi ta trajtojnë në QKUK sepse nuk kishin mjete ndërsa ai kishte kërkuar që të shkonte në spitalin “Sistina” në Shkup, duke qenë se aty e kishte kryer vendosjen e stentës së parë.

“Auto ambulanca e spitalit turk më ka dergu në spitalin turk. Aty kam nejtë 2 orë e gjysmë në një krevat dhe pas asaj kohe kanë ardhur mjekët dhe personeli mjekësor dhe kanë ba intervenimin. E di që paraprakisht është bërë koronografia dhe janë vendose dy stenta. Dhe para se mu vendosë dy stentat nuk jemi marrë vesh për çmimin, nuk kam pasë komunikim me ta nuk kam ditë sa do të kushtojne as nuk më kanë njoftuar”, tha Sejdiu.

Më tuje, dëshmitari shtoi se pas një muaji kishte realizuar kontroll në spitalin “Sistina”, pas vendosjes së dy stentave në spitalin IMH, për ta verifikuar gjendjen e tij shëndetësore.

Aty tha se e ka marrë konstatimin se e nevojshme kishte qenë vendosja e vetëm një stente, e jo edhe e stentës së dytë.

Dëshmitari shtoi se ishte paraqitur pastaj në spitalin privat “IMH” për t’u sqaruar lidhur me vendosjen e kësaj stente të panevojshme, ndërsa nga spitali “ IMH” kishte marrë arsyetimin se vendosja e kësaj stente u ishte dukur e nevojshme.

Sipas prokurorisë prej datës 01.01.2011 deri me datën 31.12.2015 të akuzuarit Gani Bajraktari, Sami Xhoka, Faik Shatri, Fisnik Hima, Kelmend Pallaska, Hajdin Qitaku, Agim Krasiqi, Ejup Pllana, Edmond Haliti, Afrim Poniku, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj,  Arlind Batalli, Xhevdet Krasniqi,  Lazer Prekpalaj, Rexhep Manaj, duke vepruar në cilësinë e mjekëve në ShSKUK në Prishtinë,  i kanë  keqpërdorur pozitat e tyre duke i tejkaluar kompetencat, dhe u kanë lëshuar pacientëve letra referuese për trajtim jashtë institucioneve publike.