Gjykimi i ‘Pronto’: Dy dëshmitarë tregojnë si u zgjodhën në krye të bordeve

Në gjykimin ndaj zyrtarëve të PDK-së të akuzuar në rastin ‘pronto’, të premten ka dëshmuar ish-shefi i ndërmarrjes “Infrakos”, Sejdi Hoxha.

Emri i Sejdi Hoxhës-s është lakuar në transkriptat e SMS-vë në mes Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt kur ky i fundit i thotë Adem Grabovci “A t’i thom atyne dyve, dyt t’i rishpallim, Tranikos dhe Infrakos”, ndërsa Grabovci i përgjigjet ‘’Sejdës i thashë po edhe atij tjetrit nëse don thuj’’.

Ndërsa Besim Beqaj i përgjigjet ‘’dyt t’ja rishpallim pastaj shohim” e Adem Grabovci ia kthen “okej okej, masi të shpallet ky tjetri” Beqaj sërish i përgjigjet ‘’tanaj i shpallim dyt’’ më çka pajtohet edhe Grabovci.

Kjo pjesë e bisedës mbyllet me një konkludim të Besim Beqajt, ish deputet e ish-ministër nga PDK: “Edhe tani i zgjedhim bordet”.

Sejdi Hoxha ishte kryesues ekzekutiv  i bordit të drejtorëve në ndërrmarjen ‘Infrakos’ ndërsa dëshmitari tjetër që doli sot për ta dhënë dëshminë ishte Hasan Ibraj, kryesues ekzekutiv i bordit të drejtorëve  në ndërmarrjen Trainkos.

Sejdi Hoxha për trupin gjykues tregoi se në vitin 2011 ishte kryesues i bordit të ndërmarrjes publike “nfrakos deri në vitin 2012 pastaj ishte  zgjedhur në pozitën e drejtorit të Postës së Kosovës dhe kishte  dhënë dorëheqje nga pozita në ‘Infrakos’’

Tutje dëshmitari tregoi për konkursin, kriteret dhe mënyrën e përzgjedhjes së bordit të drejtorëve të Infrakos.

‘’Bordet e drejtorëve në ndërmarrjet publikë zgjedhen përmes konkursit publik, proces që udhëheqet nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës, sipas kritereve të parapara në Ligjin për ndërmarrjet publike”, deklaroi dëshmitari Hoxha.

“Vendimin final për zgjedhjen e bordeve të ndërmarrjeve publike e ka marrë Kryeministri i vendit, ndërsa bordi i drejtorëve ka zgjedhur kryesuesin ekzekutiv”, vazhdoi dëshmitari Sejdi Hoxha.

Ai tha se në p[unë e tyre i kanë raportuar Komitetit ndërministror për ndërmarrje publike në qeverinë e Kosovës.

I pyetur nga avokati Besnik berisha, mbrojtës i të akuzuarit Besim Beqaj, a kishte pasur konkurrentë për këtë pozitë, Sejdi Hoxha deklaroi se kanë qenë mbi tre persona, por nuk iu kujtua numri i saktë i tyre.

Andaj kur u pyet nga avokati Besnik Berisha se a jeni kontaktuar direkt ose indirekt nga Adem Grabovci dhe Besim Beqaj për të anuluar apo shpallur konkurse dëshmitari Sejdi Hoxha e mohoi këtë.

‘’As Adem Grabovci e as Besim Beqaj nuk më  kanë kontaktuar personalisht ose tërthorazi për shpalljen, anulimin, rishpalljen e çfarëdo konkursi që lidhet me këtë periudhë kohore në këtë ndërmarrje publike’’,  përfundoi dëshmitari Sejdi Hoxha.

Prokurorja e rastit Drita Hajdari e sfidoi gjykatësin Shashivar Hoti, duke i thënë se është duke u humbur kohë me këtë dëshmitar i cili “asgjë nuk ka vërtetuar vetëm se po e interpreton ligjin për ndërmarrjen publike”.

Dëshmitari Hasan Ibraj deklaroi se ishte emëruar në postin e kryesuesit të bordit të Trainkos në korrik të vitit 2011 me vendim të kryeministrit të atëhershëm (Hashim Thaçi).

“Me vendim të kryeministrit jemi zgjedhur 4 anëtarë, unë kam punuar deri ne vitin 2014 ndërsa 3 anëtarët e tjerë deri në 2015”, tha Ibraj.

I pyetur nga avokati Besnik Berisha se a ka pasur ndonjë kriter shtesë përpos kritereve të parapara sipas ligjit për ndërmarrje publike duke aluduar në kritere siç janë përkatësia politike, religjioze apo kombëtare, dëshmitari Ibraj  tha “jo nuk ka pasur këso kriteresh”.

“Pas intervistimit të rregullt nga ana e bordit është bërë përzgjedhja kandidatit për pozitën e kryeshefit ekzekutiv ne muajin dhjetor të vitit 2011”, vazhdoi tutje dëshmitari Ibraj.

Dëshmitari Hasan Ibraj deklaroi se “në dhjetor të 2011, pas përfundimit të procedurave sipas konkursit bordi ka marrë vendim për përzgjedhjen e kryeshefit ekzekutiv në “Trainkos SH.A”.

Edhe Ibraj është pyetur nga avokati Besnik Berisha nëse ëhstë kontaktuar apo telefonuar drejtpërdrejt apo tërthorazi për të anuluar, shpallur apo rishpallur konkurs por Hasan Ibraj deklaroi se “asnjëherë nuk ka pasur ndërhyrje për hapjen, anulimin ose rishpalljen e konkursit nga Adem Grabovci dhe Besim Beqaj”.

Seancat e radhës u caktuan për 4 dhe 14 nëntor.

Për rastin “Pronto” të akuzuar janë njëmbëdhjetë persona me funksione të larta zyrtare, ish-deputeti Adem Grabovci, ministri aktual Besim Beqaj, ish-deputeti Zenun Pajaziti, dy ish-sekretarë të përgjithshëm, Ilhami Gashi dhe Xhavit Dakaj, ish-zëvendësministri Fatmir Shurdhaj, këshilltari politik në MPB Sadat Gashi, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Radoniqi-Dukagjini” në Gjakovë Ismet Neziraj, ish-drejtori i Bordit të Ndërmarrjes Publike “Hidro-Drini” në Pejë Rexhë Abazi, ish-kryesuesi i Kuvendit të Komunës së Prizrenit Nijazi Kryeziu dhe ish-shefja e Njësisë për Furnizim në Ministrinë e Shëndetësisë, Arbenita Pajaziti.

Aktakuzën për këtë rast Prokuroria Speciale e kishte ngritur në prill të vitit të kaluar.

Sipas Prokurorisë Speciale, 11 personat e lartpërmendur akuzohen për kryerjen e veprës penale Shkelja e statusit të barabartë të shtetasve dhe banorëve të Republikës së Kosovës në bashkëkryerje.