Vrasja e dhisë së egër në Pejë, nuk konfiskohet arma nga gjykata

Petrit Lulaj nga fshati Treboviq i Pejës është dënuar nga gjykata e Pejës se ka vrarë një dhi të egër, kafshë kjo e mbrojtur me ligjet e Kosovës.

Lulaj është dënuar për vepër penale, gjuetia e kundërligjshme, vepër kjo e sanksionuar me nenin 350 të Kodit Penal të Kosovës.

Po i njëjti nen parasheh që pajisja e gjuetisë të konfiskohet. Por në këtë rast, konfiskimi i armës nuk është bërë nga ana e gjykatës.

“Kafshët e egra dhe pajisjet e gjuetisë konfiskohen” thuhet në paragrafin 6 të këtij neni.

KALLXO.com ka bërë një analizë të legjislacionit për këtë rast, si dhe të vendimeve të prokurorisë e gjykatës.

Sipas aktgjykimit të gjykatës së Pejës, Lulaj është dënuar për vepër penale gjuetia e kundërligjshme, ndërsa për vepër penale të armbajtës pa leje është hedhur aktakuza, pasi prokurori i shtetit ka heq dorë nga kjo vepër penale.

Në arsyetimin të aktgjykimit thuhet se prokurori ka heq dorë nga kjo vepër penale me arsyetimin se i pandehuri me kohe ka aplikuar për vazhdimin e lejes, por që nuk ka pritur që të pajisjet me leje përkatëse nga organi kompetent.

“.. me çka ka kryer kundërvajtje të keqpërdorimit të lejes për të cilën kompetente për vendosje është gjykata themelore në Pejë, divizioni për kundërvajtje, ku edhe për këtë çështje nga ana e prokurorisë do të behët fletëparaqitje për kundërvajtje në afat ligjor” ishte arsyetimi i prokurorit për heqje dorë nga vepra penale e armbajtës.

Ndërsa me datë 16 dhjetor të këtij viti, prokurori Haxhi Sinanaj, ka lëshuar urdhër drejtuar policisë, me të cilin e ka revokuar urdhrin për ekzaminim të armëve të sekuestruara.

Po ashtu është urdhëruar që të akuzuarit Lulaj t’i kthehen pushkët e gjuetisë. Armë këto me të cilat nuk është kryer vepra e gjuetisë, por për të cilat ishte ngritë aktakuzë në fillim.

“Si rrjedhojë konsiderojmë se nuk është i nevojshëm ekzaminimi i armëve të përshkruara me lartë, ashtu që në prezencë të këtyre rrethanave, urdhëroheni të veproni si në pikën II të këtij urdhri”, thuhet në urdhrin qe ka siguruar KALLXO.com.

Në bazë të këtij urdhri, prokurori ka kërkuar që t’i kthehet arma të akuzuarit, meqenëse për armëmbajtje është hequr dorë.

KALLXO.com ka siguruar edhe aktakuzën për këtë rast e cila ishte ngritur për këto dy vepra penale.

Më poshtë gjeni edhe përshkrimin e veprimeve për të cilat është dënuar Lulaj.

Dhia ishte vrarë më 11 nëntor të vitit të kaluar në Bjeshkët e Lumbardhit.

Dosja e Prokurorisë se Pejës sqaron se vrasja është bërë me armë të llojit “Saurer”.

Të akuzuarit i është shqiptuar dënimi me burg prej 3 muajve, i cili dënim nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari brenda periudhës 1 vjeçare nuk kryen vepër të re penale.

(FOTO) Dhia e egër vritet në Bjeshkët e Lumbardhit, prokuroria ngrit aktakuzë