Rigjykimi i Pjetër Ndrecajt - 24.07.2019.

Ndrecaj sillet në Gjykatë i lidhur me zinxhirë në duar dhe këmbë

Pjetër Ndrecaj, i akuzuari për vrasjen e bashkëshortes dhe vajzës së tij, u soll i prangosur në këmbë e duar nga zyrtarët policorë në Gjykatën e Gjakovës.

Me të filluar seanca, avokati i palës së dëmtuar Isa Osdautaj, kërkoi përjashtimin e gjyqtarit të kësaj çështje penale e gjithashtu të gjykatës Themelore të Gjakovës në tërësi.

“Kërkoj që të njoftohet edhe Prokuroria e Gjakovës që edhe aktakuzën ta përfaqësojë një prokurori tjetër, njëkohësisht edhe përjashtimin e Prokurorisë”, deklaroi avokati Osdautaj.

“Pala e dëmtuar është nga zona e Shqipërisë, ndërsa pala e akuzuar nga zona e Gjakovës e për këtë mund të ketë ndikime, e po ashtu kryefamiljari i palës së dëmtuar deklaron se ka qenë i kërcënuar. E më e çuditshme se dy ditë pas vendimit të Gjykatës Supreme palës së dëmtuar i është djegur shtëpia e tyre e banimit”, tha Osdautaj.

Pas kësaj kërkese, prokurori Ali Uka tha se ata si Prokurori nuk mund të vendosin në lidhje me këtë përjashtim, meqenëse kryeprokurori i Gjakovës Ali Selimaj gjendet për shërim në SHBA.

“Kryeprokurori do të paraqitet në punë nga fillimi i javës tjetër të ardhshme dhe do të vendos për këtë çështje penale”, deklaroi prokurori Ali Uka.

“Gjithashtu jemi të mendimit se kërkesa e gjyqtarit dhe gjykatës së Gjakovës bashkë me Prokurorinë është e pabazuar dhe se besojmë se një kërkesë e tillë do të refuzohet”, tha Uka.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Pjetër Ndrecaj, avokati Prek Kola tha se nuk ka prova që pala e dëmtuar është kërcënuar nga ana e të akuzuarit.

“Për këto pretendime a ka ndonjë hap të hapur për kërcënim ose diçka, a ka prova”, deklaroi avokati Prek Kola.

“Ne si mbrojtje mendojmë se avokati i palës së dëmtuar është dashur që më herët ta paraqes me shkrim një kërkesë të tillë duke i bashkangjitur edhe arsyet e tij, andaj ne i propozojmë gjykatës që ta refuzoj një kërkesë të tillë”, tha Kola.

Ndërkaq gjyqtari Gëzim Pozhegu, ndërpreu seancën e sotme duke thënë se lidhur me këtë çështje derisa të vendosen do të njoftohen me shkrim, nëse do të vazhdohet gjykimi apo do të bartet në ndonjë gjykatë tjetër.

https://kallxo.com/pjeter-ndrecaj-i-denuari-me-burgim-te-perjetshem-serish-para-gjykates/

.