Gjykata urdhëron sjelljen me forcë të akuzuarës në rastin për patent-shofer

Seanca e parë ndaj Vlora Ibrahimit, pronare e auto-shkollës “Clinton”, Donika Sylejmanit instruktore në këtë auto-shkollë dhe Hasan Selimit e Kujtim Shaqirit, ka dështuar të mbahet në mungesë të akuzuarës Donika Sylejmanit.

Vlora Ibrahimi, pronare e auto-shkollës “Clinton” po akuzohet nga Prokuroria e Mitrovicës për marrje ryshfeti dhe falsifikim të dokumenteve për dosjen e auto-shkollës së Hasan Selimit.

Sipas prokurorisë, e akuzuara Ibrahimi si pronare e auto-shkollës “Clinton” duke vepruar në cilësi të personit zyrtar në bashkëpunim, me një person të panjohur kishte pranuar 300 euro dhe njëkohësisht ishin premtuar se do të merrnin edhe 500 euro të tjera nëse nuk veprojnë komfor detyrave të tyre.

Aktakuza shpjegon se e akuzuara Ibrahimi në këmbim të parave të pranuara kishte regjistruar në mënyrë të kundërligjshme si kandidat të kategorisë B për patent-shofer duke i mundësuar mbajtjen e orëve teorike dhe praktike, duke i lëshuar më pas librezën e kandidatit si dhe vërtetimin për aftësimin e kandidatit për patent-shofer duke e kompletuar dosjen si të vërtetë për ta procedurar në Njësinë e patent-shoferëve në Mitrovicë.

Prokuroria po akuzon edhe Donika Sylejmanin, instruktore në Autoshkollën “Clinton” për falsifikim të dokumenteve.

Sipas prokurorisë, e akuzuara Sylejmani në cilësinë e personit zyrtar kishte shkruar në librezën e kandidatit Hasan Selimi, se i njëjti ka mbajtur orët praktike nga data 18 deri më 28 nëntor 2016 dhe kishte nënshkruar vërtetimin mbi aftësimin e kandidatit Selimi, i cili në polici kishte mohuar se i ka kryer orët praktike me instruktoren Sylejmani.

Po ashtu në këtë proces penal, i akuzuar është edhe Hasan Selimi, për veprën penale dhënië ryshfeti.

Sipas aktakuzës, në fund të tetorit të vitit 2016,  i akuzuari Selimi, pronares së auto-shkollës “Clinton”, Vlora Ibrahimit dhe një personi të panjohur u kishte dhënë 300 euro për t’u pajisur me lejen e vozitjes së kategorisë B, pa mbajtur orë teorike dhe praktike, si dhe pas marrjes së vozitjes të njëjtave u kishte premtuar edhe 500 euro.

Personi i katërt në këtë proces penal është Kujtim Shaqiri, i cili po akuzohet për falsifikim të dokumenteve.

Shaqiri po akuzohet se me 31 janar 2017, duke përdorur fotografinë e tij në dokumentin i cili përmbante të dhënat personale të Hasan Selimit, kishte hyrë në testin me shkrim për patent-shofer, i cili gjatë kontrollit të ekzaminerëve është vërejtur dhe ka ikur nga qendra e testimit.

Seanca e radhës në këtë proces penal është caktuar me 16 shkurt 2022.

Ndërsa për të akuzuarën Donika Sylejmani, gjykatësi Radoslav Markoviq i ka lëshuar urdhëresë Stacionit Policor në Mitrovicë për sjellje me forcë në seancë.