Salih Mustafa heq dorë për të qenë i pranishëm në seancën kundër tij në Gjykatën Speciale

Ndaj ish eprorit të UÇK-së Salih Mustafa, që vepronte në zonën e Llapit  një vit pas arrestimit të tij sot filloi shqyrtimi gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë.

Salih Musatfa ka hequr dorë për të qenë i pranishëm në seanën kundër tij por i njëjti do të përfaqësohet nga avokati i tij.

Ndërsa  prokurori i specializuar deklaroi se “më mirë do të ishte sikur të kishte qenë i pranishëm vet Mustafa në seancë”.

Mbrojtja e viktimave deklaroi se “mungesa e të akuzuarit tregon mospërfillje dhe mosrepekt të madh për viktimat”.

Mbrojtja e viktimave kërkoi nga gjykata që të urdhërojë Mustafën të kthehet në gjykim.

Prokurori Jack Smith: Kundër Salih Mustafës do të dëshmojnë vetëm shqiptarë

Musatafa po ballafaqohet me Prokurorinë Speciale nën akuzën për vrasje, ndalim arbitrar, torturë dhe trajtim mizor.

Sipas aktakuzës së konfirmuar më 12 qershor 2020, Salih Mustafa- komandant Cali po akuzohet si epror i njësitit BIA, që kishte 500-600 anëtarë, vepronin kryesisht në zona të mëdha urbane si Prishtina dhe Obiliqi dhe përreth këtyre zonave, si dhe në rajonin e Gollakut në të cilin ndodhet fshati Zllash.

Sipas aktakuzës, njësiti BIA vepronte në  një kompleks në Zllash që përfshinte një numër ndërtesash e përdorej si vendstrehim të sigurt dhe si qendër ndalimi dhe marrjeje në pyetje.

Me aktakuzë  Mustafa ngarkohet se mes 1 dhe 19 prillit 1999 së bashku me pjesëtaret e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi VELA’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash.

Sipas aktakuzës, personat e ndaluar u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.