Jep dorëheqje gjykatësi i Dhomave të Specializuara të Kosovës, Nikola Giju

Gjykatësi Nikola Giju ka dhënë dorëheqje më 06.06.2024 si gjykatës i Regjistrit të Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK).

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga Dhomat e Specializuara, dorëheqja e Giju-s vjen pas zgjedhjes së tij si gjykatës në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe marrjes së detyrave atje.

“Kryetarja Trendafilova e përgëzoi gjykatësin Giju për zgjedhjen dhe i shprehu mirënjohje të thellë për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në përmbushjen e mandatit të DHSK-së me, ndër të tjera, punën e tij si Gjykatës i Procedurës Paraprake dhe Gjykatës i Vetëm” thuhet në njoftim.

Ndërkohë, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27.02.2023.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10.05.2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18.01.2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15.02.2023.

Gjykimi filloi më 03.04.2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 04 dhe 05.04.2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.