
Diplomati austriak dëshmon në Hagë, thotë se kishin pak informacione për UÇK-së
Ish-diplomati austriak, Jan Kickert është duke dëshmuar në Dhomat e Specializuara në Hagë, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve.
Prokurori John Capin tha se gjatë vitit 1997 deri në vitin 1999 ka punuar si diplomat austriak në Serbi dhe se është takuar me krerë të UÇK-së duke përfshirë katër të akuzuarit.
“Vizitat e Kickert në Kosovë janë bërë më të shpeshta në pjesën e dytë të vitit 1998, pasi ai ishte udhëzuar të krijojë një pikë kontakti me udhëheqjen e UÇK-së për t’i angazhuar ata në procesin politik. Për të arritur këtë qëllim, ai ka marrë pjesë në disa takime me anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm; përfshirë Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin dhe Jakup Krasniqin” – tha prokurori Capin.
Capin tha se dëshmitari ka marrë pjesë në një takim për të diskutuar lidhur me lirimin e disa ushtarëve serbë.
“Në korrik të vitit 1998, Kickert u takua me Hashim Thaçin, Kadri Veselin dhe pastaj ndaras me Jakup Krasniqin. Më 1999, Kickert mori pjesë në takim për të negociuar lirimin e ushtarëve serbë. Kickert ishte vëzhgues gjatë negociatave gjatë dhe pas Konferencës së Paqes në Rambujë, duke ndërvepruar me udhëheqjen UÇK-së, duke përfshirë edhe Hashim Thaçin. Në mars të vitit 1999, Kickert mori pjesë në një takim për të diskutuar marrëveshjen e Rambujesë me udhëheqësit e UÇK-së duke përfshirë Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin.” – tha Capin.
Kickert tha se në at kohë, ata dinin shumë pak për strukturën e UÇK-së.
“Ne nuk dinim shumë. Përpiqeshim që të kuptonim se si ishte e organizuar dhe strukturuar UÇK-ja. Më kujtohet që vëzhguesit e Bashkimit Evropian kishin përvoja të ndryshme në pjesët e ndryshme të Kosovës gjatë kontakteve të tyre me UÇK-në. Disa ishin më agresivë, disa trajtonin praninë e vëzhguesve në mënyrë më të qetë” – tha ai.
Veseli, bashkë me Hashim Thaçin, Jakup Krasniqin e Rexhep Selimin, janë në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020, si të akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26.10.2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.