Fotografi nga arkivi/ REL
Vritet një person që sulmoi policin që po ruante Ambasadën izraelite në Beograd
Zëvendëskryeministri serb, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme, Ivica Daçiq, tha se një person i panjohur ka plagosur një pjesëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën izraelite në Beograd. Ai tha se ky rast po trajtohet si akt terrorist.
“Zyra e Prokurorit Special ka marrë përsipër këtë rast”, tha Daçiq për gazetarët, teksa vizitoi në Qendrën e Emergjencës policin e plagosur.
Paraprakisht, Ministria e Brendshme e Serbisë tha se rreth orës 11:00, një person i panjohur, ” identiteti i të cilit po përcaktohet, qëlloi me hark me shigjeta një anëtar të Xhandarmërisë i cili po ruante Ambasadën e Izraelit, duke e goditur në qafë”.
Në njoftim u tha se pjesëtari i Xhandarmërisë M.J (1990) ka përdorur armën në vetëmbrojtje, duke qëlluar sulmuesin, i cili vdiq si pasojë e plagëve të marra.
Ministria e Brendshme e Serbisë tha se polici i plagosur është transportuar në Qendrën Emergjente, ku do t’i nënshtrohet një operimi për të hequr shigjetën nga qafa.
“Të gjitha rrethanat e sulmit dhe motivet e mundshme po hetohen”, tha Daçiq./REL