Gjakovë- pritet që të caktohet seanca e rigjykimit ndaj ish-zyrtarit të gjendjes civile

Në fund të muajit janar të këtij viti, Gjykata e Apelit, pas ankesës së Prokurorisë e ka kthyer në rigjykim rastin e ish-zyrtarit të gjendjes civile në Gjakovë, Shkelzen Ahmetit, i cili akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Ahmeti, në muajin nëntor të vitit 2020, ishte liruar nga akuza e keqpërdorimit të detyrës, ndërsa vepra penale e falsifikimit të dokumentit zyrtar i ishte ricilësuar nga gjykata në veprën e legalizimit të përmbajtjes së rreme, për të cilën ishte dënuar me 6 muaj burgim, i cili dënim i ishte zëvendësuar me gjobë në shumë prej 4 mijë euro.

Mirëpo, ndonëse kanë kaluar më shumë se 3 muaj, seanca e parë e rigjykimit në këtë rast ende nuk është caktuar, kjo për arsye se kryetari i trupit gjykues, Gëzim Pozhegu ishte pensionuar dhe tashmë rasti i ka kaluar tek një gjyqtar tjetër.

Kur të caktohet seanca e këtij rasti të kthyer nga Apelit, sipas Kodit të Procedurës Penale, palët kanë të drejtë të prezantojnë fakte dhe prova të reja.

Gjykata e Gjakovës, ka për detyrë t’i ndërmerr të gjitha veprimet procedurale, duke shqyrtuar pikat kontestuese të cekura në vendimin e gjykatës së Apelit.

Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, gjykata me rastin e marrjes së aktgjykimit të ri detyrohet të veprojë sipas parimit Reformatio in Peius-që do të thotë se “Në qoftë se është paraqitur ankesë vetëm në dobi të të akuzuarit, aktgjykimi për sa i përket cilësimit juridik të veprës dhe sanksionit penal, nuk mund të ndryshohet në dëm të tij”.

Porse, në këtë rast, ankesë kundër aktgjykimit të Gjykatës së Gjakovës kishte parashtruar Prokuroria e Gjakovës, e jo edhe mbrojtësi i të akuzuarit Shkëlzen Ahmeti, avokati Meshari Selimaj nuk kishte ushtruar ankesë.

Prokuroria e Gjakovës, pretendon se Shkëlzen Ahmeti, personit N.N, duke mos ia verifikuar të dhënat personale, ia vërteton se kinse quhej Bujar Vishaj, dhe të njëjtit më pas i është mundësuar që të pajisjet me dokumente personale tek zyrtarët tjerë.

Veprimet pretendohen se janë kryer në vitin 2016, ndërsa aktakuza është ngritur në maj të vitit 2019.

Në këtë rast, pasi që Prokuroria e Gjakovës ka bërë ankesë Gjykata e Apelit ka vlerësuar se aktgjykimi i shkallës së parë nuk ka bërë vlerësimin e drejtë të dëshmive dhe të njëjtat nuk janë vlerësuar në mënyrë tërësore në kontekstin e dinamikës dhe rrethanave të rastit.

Në vendimin e Gjykatës së Apelit, të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se gjykata e shkallës së parë në mbrojtjen e të akuzuarit nuk e ka vlerësuar drejt gjendjen faktike, nuk ka dhënë vlerësim të qartë dhe konkret për faktin se gjykata nuk është lëshuar farë në mos kryerjen e obligimeve që dalin nga ligji, duke lënë konfuzion që të trajtohet një dokument siç është fatura e KESCO-s, e cila është pranuar si provë nga ana e kësaj gjykata të shkallës së parë.

Sipas Gjykatës së Apelit, ky rast mbetet i paargumentuar dhe konfuz për faktin nëse i akuzuari nga mosrespektimi i procedurave dhe me pranimin e një dokumenti nga personi N.N., ka shënuar të dhëna të rreme, me çka ka vërtetuar përmbajtje të rreme duke vënë nënshkrimin dhe vulën në ekstrakt, apo nëse i njëjti me pranimin e dokumentit apo faturës së rrymës është vënë në lajthim.

Apeli pretendon se gabimisht është aplikuar ligji penal dhe si pasojë e kësaj është shkelur ligji penal.

KALLXO.com kishte shkruar edhe kur Gjykata e Gjakovës kishte marrë vendimin e saj.

Sipas aktgjykimit të gjykatës së Gjakovës, aktgjykimi lirues për akuzën e keqpërdorimit është marrë ngase personi N.N që vepron me emrin Bujar Vishaj që gjendet në Belgjikë, nuk është paraqitur për të dhënë dëshmi as në Prokurori e as në Gjykatë dhe se të njëjtin prokurori i shtetit nuk e ka propozuar që të dëgjohet si dëshmitar gjatë shqyrtimit gjyqësor, ndërsa personi N. N., që ka vepruar me emrin Bujar Vishaj është ende i panjohur për organet e drejtësisë.

Në aktgjykimin e gjykatës së Gjakovës, thuhej se Prokuroria nuk kishte ofruar asnjë provë me të cilën do të vërtetonte se i akuzuari ka kërkuar para nga personi N.B, që ka kontaktuar me të, e po ashtu nuk ka asnjë provë që është bërë falsifikim i dokumentit zyrtar, pasi që regjistrimi i Bujar Vishaj është bërë në Zyrën e Gjendjes Civile në Deçan.

Aktgjykimi thoshte se këtu i akuzuari Shkëlzen Ahmeti është vënë në lajthim nga personi N. N., pasi i njëjti kishte sjellë faturën e KESCO, e cila figuronte në emër të babait të Bujar Vishaj, Ahmet Vishaj.

Ndërsa, gjykata në bazë të elementeve të veprës penale Legalizimi i përmbajtjes së rreme, ka vlerësuar se dhënësi i dokumentit është vënë në lajthim përkitazi me saktësinë e përmbajtjes së dokumentit, që do të thotë ai nuk ka qenë i vetëdijshëm se bëhet fjalë për një dokument të pavërtetë dhe se kjo vepër nuk mund të konsiderohet si formë e vërtetë e falsifikimit intelektual.

Aktgjykimi thoshte se Prokuroria kishte ngritur aktakuzë pa e marrë në pyetje të dëmtuarin Bujar Vishaj dhe personin N. N., dhe e njëjta nuk i ka vërtetuar provat në të cilën e ka bazuar aktakuzën

Edhe gjatë shpalljes së aktgjykimit, arsyetimi i gjykatës për lirimin e tij nga akuza e keqpërdorimit ishte që i akuzuari nuk kishte të bënte me regjistrimin e tij në Gjakovë, për shkak se regjistrimi i tij ishte bërë në zyrën e gjendjes civile në Deçan, ndërsa sa i përket veprës së legalizimit të përmbajtjes së rreme, gjykata tha që në bazë të faturës së KEDS-it e ka futur në sistem adresën e tij.

Ish-zyrtari i gjendjes civile në Gjakovë, Shkëlzen Ahmeti, i cili po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, ishte deklaruar i pafajshëm.

Sipas aktakuzës Shkëlzen Ahmeti personit deri më tani të panjohur, i’a vërteton të dhënat personale se kinse personi në fjalë quhej Bujar Vishaj, banues në Gjakovë.

Në aktakuzë thuhet se është vepruar në kundërshtim ligjin për vendbanimin dhe vendqëndrimin.

Aktakuza shpjegon se të njëjtën ditë të njëjtit person ia lëshon ekstraktin, me të cilën i mundësohet që në zyrën e Regjistrimit Civil, me të dhënat e rrejshme të vërtetuara nga i akuzuari, të pajiset me dokumente personale si letërnjoftim, pasaportë dhe patentë shofer.

Shkëlzen Ahmeti po akuzohet edhe për falsifikim të dokumentit zyrtar, pasi që të njëjtin ekstrakt të lëshuar me të dhëna të rrejshme, e kishte vërtetuar me nënshkrimin e tij dhe vulën zyrtare.

Aktakuza është ngritur në vitin 2019, ndërsa seanca fillestare ishte mbajtur plot pas 97 ditëve, e veprimet, pretendohet se kanë ndodhur në muajin maj të vitit 2016.

Më pas, pas kërkesës për hudhje të akuzës dhe kundërshtimit të provave të saj, Gjykata e Gjakovës kishte refuzuar kërkesën, mirëpo i akuzuari nuk kishte paraqitë ankesë në gjykatën e Apelit. 124 ditë ose 4 muaj e 13 ditë, iu kanë dashur Gjykatës së Gjakovës që të caktonte seancën e shqyrtimit kryesor, pas mbajtjes së shqyrtimit të dytë.

Kodi i Procedurës Penale thotë se “Gjatë shqyrtimit fillestar, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues cakton shqyrtimin e dytë jo më herët se tridhjetë (30) ditë pas shqyrtimit fillestar dhe jo më vonë se dyzet (40) ditë pas shqyrtimit fillestar”.