Foto: KALLXO.com

Gjakovë, për uzurpim të pronës dënohet me 1.000 euro

Gjykata e Gjakovës e ka shpallur aktgjykimin në rastin e të akuzuarit për uzurpim të pronës së paluajtshme.

Besnik Spahija është gjetur fajtor dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën 1.000 mijë euro.

I njëjti urdhërohet nga Gjykata e Gjakovës që pronën e uzurpuar t’ia kthejë të dëmtuares, Fatlije Koshi, në afat prej 30 ditësh.

Fatlije Koshi pronën që ia uzurpuan- shtëpinë thotë se e ka blerë nga serbi, Zdravko Kaziq, në prill të vitit 2013.

Po të njëjtën shtëpi, tashmë i dënuari Besnik Spahija pretendon se e kishte blerë nga i njëjti person, por që fillimisht nuk e kishin zgjidhur çështjen e trashëgimisë.

Prokuroria po e akuzon Besnik Spahijën se që nga prilli i vitit 2013 e deri më sot bashkë me familjen e tij kishin hyrë në mënyrë të paautorizuar në shtëpinë e ish-pronarit Zdravko Kaziq, e cila shtëpi nga Kaziq në 2013-tën i është shitur të dëmtuares Fatlije Koshi.

Koshi pronësinë e saj para organeve të drejtësisë e kishte vërtetuar me vendimin e kadastrës për bartjen e pronësisë, certifikatën mbi të drejtën e pronësisë, kontratës për shitblerje mes saj dhe Zdravko Kaziqit, dëshminë e pagesës prej 27 mijë euro për sipërfaqen e përgjithshme prej 126 m2.

Në këtë rast janë mbajtur disa seanca gjyqësore, në të cilat mbrojtësi i të dëmtuares Fatlije Koshi, avokati Driton Dobruna kishte kërkuar nga Gjykata kompensimin e dëmit në vlerë prej 7 mijë e 500 euro.

Këtë vlerë të dëmit, avokati Dobruna e kishte konsideruar si pasojë e fitimit të humbur në emër të pagesave të qirasë, prej vitit 2013 e deri më sot, nga 100 euro në muaj.

Ndërsa në njërën prej seancave të këtij rasti, Besnik Spahija nuk kishte pranuar të përgjigjej në pyetjet e prokurorit dhe palës së dëmtuar.

KALLXO.com pas aktgjykimit ka kontaktuar avokatin e Koshit, Driton Dobrunën dhe i njëjti ka theksuar do të bëjnë ankesë për shkak të lartësisë së dënimit si shumë e ulët dhe për shkak të moszbatimit të drejtësisë restorative.

Gjykata në arsyetimin e aktgjykimit ka vlerësuar se ishin përmbushur kushtet ligjore që Besnik Spahija të shpallet fajtor dhe se dënimi është në harmoni me peshën e veprës penale.

KALLXO.com ka raportuar edhe më herët për këtë rast.

VIDEO: Familjet gjakovare 6 vite përballje nëpër gjykata për pronën e serbit

www.kallxo.com