Shtëpia e kontestuar në Gjakovë – Foto: KALLXO.com

VIDEO: Familjet gjakovare 6 vite përballje nëpër gjykata për pronën e serbit

Fatlije Koshi, pensioniste nga Gjakova, me 26 prill të vitit 2013, thotë se kishte blerë shtëpi nga shtetasi serb Zdravko Kaziq, në qendër të qytetit.

Koshi tregon se ju drejtua Gjykatës së Gjakovës, pasi kuptoj që ajo shtëpi ishte e uzurpuar nga një familje dhe pas seancave të mbajtura gjykata me 2 shkurt të vitit 2017 mori vendim, ku e detyronte Fisnik, Sabahate dhe Besnik Spahiun që ta lirojnë shtëpinë dhe t’ia paguajnë të dëmtuarës shpenzimet e procedurës në vlerë prej 1 mijë e 600 eurove.

Koshi tregon se tani ka hyrë në vitin e shtatë prej që e ka blerë shtëpinë dhe nuk po mundet të vendoset në të, pasi Gjykata e Apelit, në të cilën është ankuar Fisnik Spahiu, po e zvarrit procesin e gjykimit.

“Me datën 26 prill të vitit 2013 e kam ble shtëpinë. Te noteri e kam bërë procedurën e shitblerjes, me dokumentacion e me të gjitha. E kam blerë nga Zdravko Kaziq në mënyrë të rregullt. Tash vitin e shtatë kam hy, ne jemi duke u sjellë nëpër rrugë, duke ndërru shtëpi herë në njërën e herë në tjetrën. Që tetë herë jemi duke e ndërru shtëpinë. Kam ardhë në atë gjendje, jemi ardhë familja jonë që m`u rreziku edhe shëndeti, edhe m`u rreziku gjendja materiale, mos me pas kushte me e mbajt vetveten”, ka thënë Koshi.

KALLXO.com, ka kontaktuar me avokatin e Spahiut, Ergjyment Barbullushi, për të kuptuar se në çfarë baza pretendon klienti i tij në atë shtëpi, ndërsa përgjigja e avokatit ishte se ne nuk kemi të drejtë të shohim pretendimet e Spahiut.

“Ka ankesë në procedurën civile dhe aty janë pretendimet e Besnik Spahiut, në çka e mbështet të drejtën e tij. Mirëpo ankesa nuk është publike dhe ju nuk keni “tager” për atë të drejtë. Përdorni çka të doni por nuk vjen në shprehje asnjë deklarim i mëtejshëm”, ka thënë Barbullushi në përgjigjen e tij.

Koshi tutje tregon se gjyqtari i kishte sugjeruar që ta ndërronin çelësin e shtëpisë dhe të vendoseshin aty.

“Një kohë gjyqtari na tha mundeni me shku me e ndërru, se ajo shtëpi është dykatëshe, mundeni me shku me e ndërru çelësin dhe me u vendos në katin e dytë. Kur kemi shku me burrin dhe djalin e një shokut, ata na kanë sulmu. Kam humb peshë, kam fitu sëmundje, duke pritë, kam ardhë në atë gjendje që thjeshtë me u dorëzu”, tregon Koshi.

Ndërsa Arbër Jashari nga Gjykata e Apelit, ka treguar që lënda është në këtë gjykatë që nga viti 2017.

“Lënda ka ardhur në punë me 30.03.2017. Është ndarë në punë dhe pret në radhë për vendosje”, është përgjigjur Jashari.