Prokuroria ngrit aktakuzë për uzurpim të pronës së Institutit për Hulumtime Bujqësore

Prokuroria e Pejës të mërkurën ka ngritur aktakuzë përmes së cilës po akuzon Mujo Kurtaj për uzurpim të paligjshëm të pronës së paluajtshme të Institutit për Hulumtime Bujqësore të Kosovës në kuadër të Ministrisë së Bujqësisë.

Sipas Prokurorisë, prona e paluajtshme në një fshat të Pejës është uzurpuar që nga viti 2016 nga i akuzuari ku i njëjti ka ndërtuar shtëpi.

Këto akuza Kurtaj i ka mohuar gjatë intervistimit në Prokurori, në gusht të këtij viti.

Gjatë marrjes në pyetje i njëjti kishte deklaruar se shtëpia e ndërtuar në parcelën në fjalë është pronë e familjes së tij të cilën e kishin blerë shumë dekada më parë nga Zhukë Haxhija, të cilit shteti Jugosllav pas Luftës së Dytë Botërore ia kishte konfiskuar pronat si armik i shtetit.

“Në parcelën në të cilën është ndërtuar shtëpia është pronë e tyre dhe se të njëjtën familja e tyre e kishin blerë para 60 – 70 vitesh nga familja e Zhukë Haxhisë dhe nga ajo kohë nuk është bartur pronësia në emër të familjes së tij, ndërsa pas Luftës së Dytë Botërore shteti Jugosllav i ka konfiskuar pronat e Zhukë Haxhisë si armik i shtetit, ndërsa këtë pronë e kanë shfrytëzuar vazhdimisht” – citohet i akuzuari në aktakuzë nga deklarata e dhënë në Prokurori.

I akuzuari Kurtaj kishte dhënë deklaratë edhe në Polici me ç’rast kishte thënë se shtëpinë e ka ndërtuar babai i tij në vitin 2016 – 2017 dhe atë e kishte trashëguar nga i ati.

Veprimet e përshkruara në aktakuzë Prokuroria i ka kualifikuar me veprën penale “Uzurpimi i paligjshëm i pronës së paluajtshme, të inkriminuar me nenin 320 të Kodit Penal të Kosovës.”