Gjykata e Gjakoves

Shtyhet për qershor gjykimi për keqpërdorim në një konkurs të Spitalit të Gjakovës

Seanca gjyqësore e paraparë për sot ndaj Vera Lleshit, mjeke në Spitalin “Isa Grezda” në Gjakovë, e cila po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit, si dhe ndaj Jehona Arapi që po akuzohet për deklarim të rrejshëm, nuk është mbajtur.

Seanca është shtyrë për në muajin qershor. Kjo për shkak se avokatët e të akuzurave Prenk Pepaj dhe Fadil Sinanaj, janë të angazhuar në seanca të tjera në Gjykatën e Pejës dhe atë të Ferizajt.

Përveç kësaj, edhe ekspertja e cila ishte planifikuar të dëgjohej sot, kishte lajmëruar gjykatën se është në pushim vjetor.

Prokuroria pretendon se Vera Lleshi, në cilësinë e anëtares së komisionit për pranimin e një operatori në SISh, gjatë procedurës së rekrutimit sipas konkursit të Spitalit të Gjakovës, duke ndërhyrë në testin me plotësime shtesë, ka favorizuar kandidatën Jehona Arapi që të përzgjidhet në cilësinë e operatores së SISH-it.

Seanca e fundit së këtij rasti është mbajtur në muajin janar 2021, kjo për shkak se gjykata sipas detyrës zyrtare ka dërguar që të bëhet një ekspertizë plotësuese e grafologjisë, e cila planifikohej të administrohej gjatë ditës së sotme.

Sipas aktakuzës, këto veprime së të akuzuarës Lleshi, kanë ndodhur me datë 15 maj të vitit 2017.

Ndërsa, sipas aktakuzës, më datë 8 gusht të vitit 2019, Jehona Arapi, në cilësinë e dëshmitares gjatë dhënies në Stacionin Policor në Gjakovë, ka paraqitur deklarim të rremë, duke mohuar se ndokush anga anëtarët e komisionit e kishte ndihmuar rreth plotësimit të testit me shkrim dhe se shkrimin në testin e saj e kishte bërë me dy stilolapsa.

Aktakuza thotë se në bazë të kësaj deklarate, Arapi arrin të punësohet si operatore e SISH-it, duke i dëmtuar kështu edhe kandidatët e tjerë.

Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj mjekes së Spitalit të Gjakovës