Foto: Ilustrim

Dosja e Prokurorisë: Si u shit toka dy herë nga 200 mijë euro?

Gjykata e Prishtinës i ka caktuar arrest shtëpiak për 3 persona që sipas Prokurorisë dyshohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprat penale të mashtrimit, falsifikimit të dokumentit dhe legalizimit të përmbajtjes së rreme.

Prokuroria e Prishtinës kërkoi paraburgim ndaj të pandehurit Shemsi Hotit, pasi i njëjti dyshohet se bashkëkryerje me Beqir Jasharin dhe Sefer Dubovcin, me qëllim që vetes t’i sjellin dobi pasurore, më 15 shkurt 2019 janë paraqitur si pronarë të parcelës me sipërfaqe prej 2.640 metër katrorë në lagjen Sofali të Prishtinës.

Në kërkesa për caktimin e paraburgimit, Prokuroria thotë se fillimisht të pandehurit “gjoja kishin marrë një autorizim nga pronarët e vërtetë të parcelës që ishin të nacionalitetit serb”, e më pas i pandehuri Shemsi Hoti kishte arritur të bartnin pronën në emër të Beqir Jasharit, që poashtu është i pandehur në këtë rast.

Sipas kërkesës për paraburgim janë përshkruar edhe veprimet tjera të të pandehurve, të cilët dyshohet se dy herë e kanë shitur pronën e njëjtë.

Prokurori thotë se fillimisht prona i është shitur dëmtuarit Fidan Tahirit në shumë prej 203 mijë euro. Më pash, sipas prokurorisë të pandehurit dyshohet se kanë falsifikuar letërnjoftimin e të dëmtuarit Fidan Tahirit, me të cilin janë prezantuar rrejshëm tek noterja Sevdije Krasniqi, duke e marrë autorizimin me të dhënat e Fidan Tahirit dhe arrijnë që tokën e Fidan Tahirit, t’ia shesin personit të tretë Avni Rekaliut në shumë prej 200 mijë eurove.

Prokuroria kishte kërkuar caktimin e paraburgimit për shkak se ekziston dyshim i bazuar se të njëjtit mund të ikin për shkak të dëmit të madh të shkaktuar me kryerjen e tri verave penale.

Po ashtu sipas Prokurorisë ekzistojnë dyshimi se të njëjtit mund të asgjësojnë, ndryshojnë, provat e veprës penale si dhe mund të pengojnë rrjedhën e procedurës penale duke ndikuar në të dëmtuarit dhe të  bashkëpjesëmarrësit të cilët i ka kryer veprat penale nuk janë gjetur.

Por Gjykata e Prishtinës, ka refuzuar kërkesës e Prokurorisë së të pabazuar dhe ndaj të njëjtëve ka caktuar masën e arrestit shtëpiak në kohëzgjatje prej 1 muaji.