Dosja e Prokurorisë - Si kontrabandoheshin migrantët në këmbim të 1500 deri në 2000 euro

Të akuzuarit për kontrabandim me migrantë, Lan Selmani dhe Ramadan Fazlia, u deklaruan të pafajshëm para gjykatës së Gjakovës.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje, kanë kontrabanduar migrantë drejt shteteve të Evropës.

Në këtë rast, sipas Prokurorisë të dëmtuarit Gabriel dhe Gaspër Pepaj, deklaruan se në këtë çështje nuk janë të dëmtuar, sepse asnjëherë nuk kanë tentuar që të dalin në të zezën jashtë shtetit.

“Është e vërtetë që nga prokuroria jam marrë në pyetje si dëshmitar në lidhje me vëllain tim Albert Pepaj, i cili ka dalë jashtë shtetit në të zezën, e për këtë gjë ne nuk dijmë, por i njëjti tashmë gjendet në Zvicër me dokumente të rregullta”, deklaroi Gabriel Pepaj.

Gjykata obligoi prokurorin e rastit Ramiz Buzhala që të bëjë përmirësimin e dispozitivit të aktakuzës.

Ky rast nuk ishte mbajtur një kohë të gjatë, sepse i akuzuari Lan Selmani nuk paraqitej në gjykatë e ndërkohë gjykata kishte lëshuar letë-rreshtim vendor.

Sot, para gjykatësit Shaqir Zika, i paraqitur vullnetarisht i akuzuari Lan Selmani, tha se ka dalë në mënyrë ilegale në Austri, është kthyer me autobus dhe askush nuk i ka kërkuar asnjë dokument identifikimi.

Seanca e radhës u caktua për datën 24 shkurt.

Sipas aktakuzës, nga muaji janar e deri në gusht të vitit 2014, janë marrë me kontrabandim të migrantëve.

Personat Fidan Mustafa, Gabriel dhe Gaspër Pepaj, Albert Pepaj, Durim Graci, Gëzim Panxhaj, Lëndon Adërgjonaj, Ukë Maloku i kanë marrë me veturë dhe disa herë me autobusë të agjensioneve të ndryshme, i ka dërguar përmes Serbisë në Suboticë, e nga Subotica në Hungari, e pastaj nëpër shtete të ndryshme  evropiane, thuhet në aktakuzë.

Aktakuza thotë se nga këta të dëmtuar kanë marrë shuma të ndryshme të parave nga 1 mijë e 600 euro deri në 2 mijë euro.