Dosja e Prokurorisë: Polici nga Suhareka rrahu e ofendoi qytetarët në stacion policor

Prokuroria e Gjakovës njofton se ka ngritur aktakuzë kundër personit Xh.K, nga komuna e Suharekës, i dyshuar për tri vepra penale.

Prokuroria pretendon se Xh.K. ka kryer veprat penale të keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare ose autorizimeve publike, lëndimit të rëndë trupor si dhe atë të lëndimit të lehtë trupor.

“Rasti ka ndodhur më 22 gusht 2018, në Suharekë, ku i pandehuri Xh. K., në cilësinë e zyrtarit policor, keqpërdorur detyrën dhe autorizimet publike, duke keqtrajtuar e fyer rëndë personalitetin e të tjerëve, këtu të dëmtuarve H.G., A.G., dhe Q. Xh nga Suhareka”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

Xh.K. po dyshohet se kishte goditur tre të dëmtuarit.

“Përderisa të dëmtuarit ishin duke hipur në makinën e tyre në parkingun e një restoranti, i pandehuri fillimisht iu kërkon dokumentet e identifikimit, dhe përderisa njëri prej tyre nuk e kishte me vete dokumentin, i njëjti nervozohet dhe e godet në kokë, ku pastaj të tre të dëmtuarit i hip në makinën e policisë, ndërsa gjatë rrugës për në stacionin e policisë i ofendon e i godet ata”, thuhet në njoftim.

Njoftimi i Prokurorisë thotë se “pas arritjes në Stacionin policor në Suharekë, i ndan në dhoma të veçanta, ku secilin prej tyre, duke i kapur për fyti, i shan e ofendon, dhe i godet me grushte në kokë, bark dhe gjoks”.

Në bazë të këtyre veprime, prokurori i rastit i ka propozuar gjykatës në Prizren, dega Malishevë, që i pandehuri Xh.K., të dënohet sipas ligjit për veprat penale që i vihen në barrë.