Ilustrim

Dosja e Prokurorisë për kosovaren që lante e gatuante për burrat e ISIS-it

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, njofton se  ka ngritur  aktakuzë kundër të pandehurës V. I., për shkak të veprës penale organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist.

Sipas prokurorisë e pandehura më 03 nëntor 2014, me paramendim dhe me dashje së bashku me bashkëshortin e saj S. N., kanë lëshuar territorin e Republikës së Kosovës, përmes vend-kalimit kufitar, Hani i Elezit, dhe kanë udhëtuar për në Shkup – Republika e Maqedonisë dhe të nesërmen me autobus kanë udhëtuar për në Suedi.

Prokuroria thotë që edhe pas 2 muaj qëndrimi në Suedi përmes lidhjeve të caktuara me qëllim që t’i bashkëngjiten organizatës terroriste “ISIS” në Siri nga aeroporti i Stokholmit, me aeroplan, kanë udhëtuar për në Stamboll, më pas janë transportuar në qytetin Gazientep, afër kufirit me Sirinë, ku edhe nga ana e pjesëtarëve të ISIS-it, janë transportuar në qytetin Sedel Faruk.

Sipas njoftimit të prokurorisë, e akuzuara është regjistruar ndaras nga burrat në ISIS prej nga kanë udhëtuar në qytetin Mosul të Irakut, ku edhe pas 3-4 muaj qëndrimi janë kthyer në qytetin Raka dhe se gjatë kësaj kohe e njëjta është angazhuar në pikëpamje logjistike si në përgatitjen e ushqimit, pastrimin e rrobave ushtarake të bashkëshortit të saj, luftëtar i ISIS-it, dhe se është financuar nga ISIS prej shumën e të hollave prej nga 150 dollarë në muaj dhe më pastaj në vitin 2018, është arrestuar nga forcat demokratike Siriane dhe më 19 prill2019, është riatdhesuar në Kosovë.