Dedaj në Hagë: UÇK-ja ishte sjellur në mënyrë korrekte
Gjergj Dedaj, ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, po vijon me dëshminë e tij para Dhomave të Specializuara në gjyqin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ai po i përgjigjet Luka Misetiq, avokat i Hashim Thaçit. Dedajt iu shfaqën fragmente të një konference për shtyp që daton në vitin 1998 dhe ka të bëjë me ndalimin e tij në Qirez.
Në këtë konferencë, Dedaj u përpoq të përcjellë situatën e ndodhur atë kohë. Ai diskutoi për rolin dhe sjelljen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe theksoi se nuk ndjente kërcënime nga ana e tyre.
“Interesimi i tyre në radhë të parë ishte se pse nuk e kemi paralajmëru vizitën që mendoj se ne nuk do të paralajmërojmë vizitat se ku do të shkojmë asnjëherë dhe do të shkojmë edhe në territoret tjera sepse e kemi obligim të shkojmë tek njerzit tanë, tokat tona, trevat tona. Nuk kemi qenë të kërcënuar në kuptimin e fjalës kërcenim. Mendoj që ndalesa sipas menimit tim ishte e pa kuptimtë. S’ka pas arsye që ne të ndalohemi përderisa ne ishim të gjithë persona publik domethënë ishim njerëz që për aktivitetin tonë, punën tonë domethënë e dinte i gjithë opinioni dhe kemi punu në mënyrë legale, prandaj ne nuk kishim shkuar që të bëjmë asnjë lloj propagande, as politike, as partiake, as kundër UÇK-së as kundër UÇK-së”- iu lexua deklarata e konferencës.
Dedaj pohoi se gjendja ishte e rëndë e shkaktuar nga forcat serbe.
“Thash se këtë paraqitje e kam bërë para gazetarëve dy orë pasi jemi kthy nga zonat e luftës, ku kemi pa një terror të forcave serbe ndaj Drenicës. Gjendja ishte e rëndë çka kemi pa në Drenicë nga forcat serbe”- theksoi Dedaj.
Sipas tij, UÇK-ja ishte sjellur në mënyrë korrekte.
Dedaj është ftuar javën e kaluar në cilësinë e dëshmitarit në procesin ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Ai ka filluar të hënën dëshminë para trupit gjykues në Hagë ku i është përgjigjur pyetjeve të prokurores dhe mbrojtjes të cilat kishin të bënin kryesisht me ngjarjen që kishte ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.