Hysri Peqani - 'Burdushi'

'Burdushit' i parashkruhet lënda për mashtrim

Dy herë ishte shpallur fajtor nga Gjykata e Prizrenit për veprën penale të mashtrimit.

Në të dy rastet Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Ndërsa kur po pritej të zhvillohej gjykimi i tretë ndaj të akuzuarit Hysri Peqani, i njohur si ‘Burdushi’, atij i është parashkruar lënda.

Parashkrimi absolut apo vjetërsimi i lëndës nënkupton që ndaj tij ndërpritet çdo ndjekje penale dhe ndërpriten çdo procedurë penale që është duke u zhvilluar ndaj tij për aktakuzën për veprën penale të mashtrimit.

Kallxo.com mëson se pasi që Gjykata e Apelit për herë të dytë e ka kthyer rastin në rigjykim, kanë dështuar të mbahen tri seanca gjyqësore, kjo pasi që në këto seanca nuk është paraqitur i akuzuari Peqani, duke e arsyetuar mungesën e tij me pandeminë COVID-19.

Kështu 5 vite pas ngritjes së aktakuzës, dhe pas dy gjykimeve të zhvilluara, ndërpritet çdo procedurë gjyqësore dhe ndjekje penale për rastin në fjalë.

Historiku i gjykimit

Prokuroria e Prizrenit në vitin 2015 kishte ngritur aktakuzë për vepër penale të mashtrimit ndaj Hysri Peqanit, për një rast të ndodhur në vitin 2014.

Në tetor të vitit 2018 Gjykata e Prizrenit e kishte dënuar me 1 vit burgim efektiv dhe 1,500 euro gjobë Peqanin, mirëpo Gjykata e Apelit e kishte kthyer rastin në rigjykim.

Edhe pas gjykimit të dytë, Hysri Peqani ishte gjetur fajtor, dhe ishte dënuar me 1 vit burgim  dhe gjobë në shumën prej 5,000 euro.

Pos gjobës dhe burgimit gjyqtari i rastit Fatmir Krasniqi të njëjtit i kishte shqiptuar edhe dënim plotësues, që t`i ndalohej ushtrimi i profesionit në kohëzgjatje prej 3 vitesh.

Përsëri Gjykata e Apelit e ktheu rastin në rigjykim, ndërsa gjykimi i tretë ndaj Burdushit nuk arriti të zhvillohej si pasojë e parashkrimit absolut të rastit.

Përveç këtij rasti, ‘Burdushi’ kishte qëndruar një kohë të gjatë në paraburgim, dhe ndaj tij po zhvillohet hetim edhe për kryerjen e 4 veprave penale, ndërsa në janar të këtij viti i njëjti ishte liruar nga masa e paraburgimit.

I ashtëquajturi mjek popullor, Hysri Peqani  i njohur si ‘Burdushi’ kishte dërguar një letër me shkrim në adresë të KALLXO.com në të cilën kishte dhënë shpjegime për të gjitha akuzat që rëndojnë mbi të.

Hysri Peqani po dyshohet për veprat penale – ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore ose farmaceutike, shmangie nga tatimi, mashtrim dhe për armëmbajtje pa leje.

LINK