Foto nga seanca për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Hysri Peqani - Kallxo.com

Prokuroria nuk ka shpjegim për pasurimin milionësh të Burdushit

Në seancën gjyqësore për rastin e Burdushit në Gjykatën Themelore të Prizrenit, prokurori Fatos Ajvazi ka thënë se vazhdojnë të mbesin prapa kërkesës për urdhër ndalues për asetet e Burdushit.

Ai ka thënë se Prokuroria gjatë hetimeve ka analizuar dhe vlerësuar të gjitha pasuritë e të pandehurit, e po ashtu ka analizuar edhe veprimtarinë e tij.

“Kemi ardhur në përfundim se i pandehuri në vitin 2005 ka regjistruar biznesin e tij si ordinanca te Burdushi, me veprimtari mjekësore e që sipas provave që janë siguruar gjatë hetimit, i njëjti këtë veprimtari e ka ushtruar pa pasur licencë nga Ministria e Shëndetësisë, e në veçanti pa pasur thirrje akademike për këtë veprimtari”, ka thënë prokurori Fatos Ajvazi.

Më tej ai ka shtuar se në provat që janë siguruar prokurori i shtetit ka parë se edhe në vitin 2008, i pandehuri ka hapur biznes me emrin “Urimi”, me veprimtari të shërbimeve ushqimore në këtë rast restorant. Sipas prokurorit, Burdushi ka nga bizneset e tij nga viti 2005 ka përfituar 2.6 milionë euro.

“Gjatë hetimeve deri tani, rezulton se qarkullimi total në këto dy kompani të cekura nga 2005 – 2018 kap shumën e 115.000 euro të deklaruar në ATK nga vet i pandehuri, kurse nga pasuria e të pandehurit e cila është fituar gjatë kësaj periudhe arrin shifrën rreth 2 milionë e 600 mijë euro”, ka vazhduar prokurori.

Prokurori ka vazhduar duke thënë se i pandehuri me anë të mashtrimit ka trajtuar të dëmtuarit për sëmundje, të cilat edhe me shkencën e mjekësisë nuk kanë shërim, e për të cilat kërkohet përgatitje e veçantë akademike.

“I njëjti ka mashtruar duke shëruar sëmundje, epilepsi, kancer, të ngecur në të folur, infertilitetit e sëmundje të tjera të cilat i pandehuri i kishte moto në librin e tij të vitit 1998”, ka thënë prokurori Ajvazi.

Në seancë u përmend se gjatë trajtimit të të dëmtuarve i pandehuri kishte kërkuar dhe marrë para në shifra të ndryshme nga 1.000 deri në 6.000 euro.

Sipas Prokurorisë të gjitha këto mjete janë realizuara me vepra për të cilat dyshohet, të njëjtat janë shfrytëzuar për blerjen e pasurive për të cilat kërkohet urdhëri ndalues.

“Prokuroria e shteti për të gjitha këto pasuri ka siguruar edhe raporte juridike të lidhura në mes të pandehurit dhe personave tjerë si shitës”, ka përfunduar prokurori.