200 euro gjobë për posedim të sprejit

Në gjykatën e Ferizajt është mbajtur seanca kundër Granit Hyseni, i akuzuar nga Prokuroria për posedim të armës ose mjetit të rrezikshëm.

I akuzuari para gjyqtarit Ibrahim Idrizi e pranoi fajësinë dhe i njëjti u shpreh se “Nuk kam pasur njohuri të mjaftueshme se mbajtja e atij spreji ishte e ndaluar me ligj’’.

Gjyqtari i rastit ia bëri me dije se edhe ai sprej i tipit ‘’Nato’’ hyn në grupin e armëve dhe të njëjtin e shpalli fajtorë ku edhe e dënoi me 200 euro gjobë dhe konfiskim të përhershëm të sprejit.

Prokurori i rastit Rasim Maloku u pajtua me pranimin e fajësisë nga i pandehuri, pasi që ky pranim është bërë konform ligjit.

Granit Hyseni akuzohej nga Prokuroria e Ferizajt se me datë të pacaktuar e deri më datë 08.02.2019, duke vepruar në kundërshtim me nenin 18 dhe nenin 4 të Ligjit për armët, ka mbajtur në posedim pa leje dhe pa autorizim përkatës, armën – sprejin e tipit ‘’Nato’’ , dhe pas një kontrolli të kryer nga ana e policisë, arma në fjalë i është gjetur në veturën e tij të tipit Mercedes e cila edhe i është konfiskuar.

Sipas Prokurorisë me këtë veprim i pandehuri ka kryer veprën penale mbajtje në pronësi ,kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve .