Ilustrim

SHBA-ja paralajmëron Iranin që të mos i japë Rusisë raketa balistike

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët kanë paralajmëruar Iranin se ekonomitë e mëdha perëndimore do të vendosin sanksione të reja ndaj Teheranit nëse shtyn përpara planin për t’i ofruar raketa balistike Rusisë, për luftën e Moskës kundër Ukrainës.

Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, për muaj të tërë ka ngritur alarmin se Rusia po kërkon nga Irani raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi, pasi që Moska po përballet me sfida për të mbushur furnizimet e saj të armëve.

SHBA-ja ende nuk ka konfirmuar se raketat janë dërguar nga Irani në Rusi. Por, zyrtarët amerikanë janë alarmuar nga deklaratat e zyrtarëve iranianë që sugjerojnë se një marrëveshje për këtë çështje do të ndodhë shpejtë.

Një veprim që Grupi i Shtatë ekonomive më të mëdha në botë (G7) po punojnë është që t’ia ndalojnë Iran Air – kompanisë shtetërore të fluturimeve – që të fluturojë për në Evropë, tha një zyrtar i lartë i administratës Biden. Ky zyrtar, që foli në kushte anonimiteti, nuk tregoi se çfarë sanksionesh do të mund të vendoseshin ndaj Teheranit, por tha se një vendim i mundshëm do të mund të cilësohej si “masa të rëndësishme” ndaj Iranit.

SHBA-ja dhe Evropa veçse kanë vendosur sanksione të ashpra ndaj Iranit, duke shënjestruar individë, por edhe duke kufizuar qasjen e shtetit në tregti, shërbime financiare, energji, teknologji dhe sektorë të tjerë. Sanksionet ndaj Iranit janë më të ashprat që SHBA-ja ka vendosur ndonjëherë ndaj ndonjë shteti, pasi mijëra individë dhe entitete janë shënjestruar.

Në janar, administrata e Bidenit tha se zyrtarët amerikanë të inteligjencës kishin përcaktuar se marrëveshja Rusi-Iran ende nuk është kompletuar, por kishte shqetësime se negociatat e Rusisë për të marrë raketa nga Irani po avanconin në mënyrë aktive.

Në shtator, sipas Shtëpisë së Bardhë, Irani priti ministrin rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, për t’i treguar sisteme të raketave balistike.

SHBA-ja dhe shtetet e tjera kanë ndërmarrë hapa që synojnë të pengojnë furnizimet, shitjet apo transferet e pajisjeve për raketat balistike të Iranit.

Administrata Biden vazhdimisht ka ngritur çështjen se Kremlini është bërë i varur nga Irani dhe Koreja e Veriut për armët që i duhen për të luftuar kundër Ukrainës.

Rusia ka marrë dhe ka përdorur raketa balistike të Koresë së Veriut kundër Ukrainës. Zyrtarët ukrainas, megjithatë, kanë thënë se raketat verikoreane që lëshohen nga forcat ruse shpesh nuk qëllojnë caqet.

Rusia po ashtu ka pranuar dronë sulmues nga Irani, sipas Shtëpisë së Bardhë. Administrata Biden po ashtu ka akuzuar Teheranin se e furnizon Rusinë me materialet e nevojshme për prodhimin e dronëve në një fabrikë në lindje të Moskës./REL