Zyrtarë policorë serbë në Jarinjë dorëzojnë armët dhe rripat me pajisje të policisë

26 zyrtarë policorë të pikës kufitare në Jarinjë nga komuniteti serb, kanë dorëzuar armët dhe rripat me pajisje të Policisë së Kosovës para pak çasteve.

Siç merr vesh KALLXO.com, ata nuk i kanë dorëzuar uniformat dhe antiplumbat e tyre, por që kanë premtuar se do t’i sjellin edhe ato.

Deri më tani, këta janë zyrtarët e vetëm policorë serbë që kanë dorëzuar armët, pasi kolegët e tyre nga pika të tjera të Policisë, kanë dorëzuar vetëm unifromat dhe disa pajisje tjera.

Pika kufitare në Jarinjë, Foto: KALLXO.com

Policia e Kosovës ka konfirmuar se edhe sot ka pasur paraqitje të dorëheqjeve të punonjësve policorë të komunitetit serb në pjesën e veriut të vendit, në zonën e drejtorisë rajonale të Mitrovicës Veriore.

Sipas Policisë, njoftimet e tyre për dorëheqje janë bërë në rajonet dhe stacionet policore, “ku disa prej tyre deri më tani i kanë dorëzuar pajisjet e tyre, për të vazhduar me kompletimin e procedurave tjera të parapara”.

Tutje, në këtë njoftim është thënë se PK-ja ka kapacitete për menaxhimin e situatës dhe rrethanave të krijuara.

KALLXO.com ka raportuar se edhe zyrtarët policorë të Stacionit Policor kufitar në Leposaviq kanë ofruar letër-dorëheqjet e tyre nga postet që kanë pasur, ndërsa pajisjet dhe uniformat ende nuk janë dorëzuar nga të njëjtit.

Në një mbledhje në Mitrovicë të Veriut, më 5 nëntor 2022, të ftuar nga Lista Serbe, në cilën morën pjesë zyrtarë të lartë shtetëror nga komuniteti serb, u njoftua largimi i tyre nga institucionet, përfshirë nivelin qendror ekzekutiv, lokal e nga gjyqësori.

Qytetarët serbë po kundërshtojnë zëvendësimin e targave ilegale të automjeteve me targat RKS (Republika e Kosovës), duke kërkuar gjithashtu formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Që nga 1 nëntori, autoritetet në Kosovë kanë thënë se qytetarëve që kanë automjete me targa ilegale (KM), do të marrin fletëqortime. Kjo është faza e parë e planit prej tri etapash, që Qeveria e Kosovës ka thënë se do të zbatojë nga 1 nëntori deri më 21 prill të vitit 2023, sa i përket riregjistrimit të automjeteve në targat RKS (Republika e Kosovës).

Faza e dytë parasheh gjobë prej 150 eurosh për shoferët që kanë automjete me targa serbe, ndërkaq në fazën e tretë do të përdoren targa provuese. Pas 21 prillit, sipas Qeverisë, nuk do të lejohet qarkullimi i automjeteve që nuk kanë targa RKS.

Në anën tjetër, Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë është njëra prej marrëveshjeve më të diskutueshme në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, për të cilën ishin pajtuar palët në kuadër të procesit, por që nuk është zbatuar, pasi u vlerësua se disa pika të saj janë në kundërshtim me Kushtetutën e Repubikës së Kosovës.