Zyra e Prokurorit të Specializuar pushon hetimet ndaj Driton Lajçit

Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, përmes një njoftimi për media kanë bërë të ditur se më 18 gusht 2023, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka pushuar hetimet kundër Driton Lajçit.

Kjo çështje lidhej me hetimet dhe rastet që kanë të bëjnë me krime thelbësore që janë në juridiksionin e Dhomave të Specializuara.

Driton Lajçi, ish-zyrtar i Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, drejtues i Zyrës qeveritare për mbrojtje juridike të të akuzuarve potencialë në Gjykatën Speciale, u bë i dyshuar i Prokurorisë së Specializuar në vitin 2019.

Si i tillë, u thirr për intervistim nga ZPS-ja.

Lajçi në vitin 2020, parashtroi një kërkesë pranë Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, duke pretenduar shkelje të të drejtave të tij gjatë procedurës së intervistimit me ZPS-në.

Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese e shpalli kërkesën të papranueshme sepse Lajçi ende nuk ishte akuzuar penalisht dhe rrjedhimisht, kërkesa e tij u shpall e parakohshme.

Në vitin 2021, Gjyqtari i vetëm gjykues, Nicolas Guillou, refuzoi, kërkesën e parë të Lajçit për urdhër që ZPS-ja të pushonte hetimin ndaj tij.

Më vonë, Gjykata e Apelit hodhi poshtë ankesën e Lajcit kundër atij vendimi dhe u pajtua me konstatimin e gjyqtarit Guillou se periudha e hetimit nuk binte ndesh me kriterin e “kohës së arsyeshme” sipas rregullit 47 të Rregullores.

Në vendimin e datës 1 tetor 2021, Dhoma e Apelit të Gjykatës Speciale arsyetoi se hetimi nga prokurori i specializuar para këtyre dhomave nuk lidhet me nenin 159 të Kodit të Procedurës Penale të Kosovës por në bazë të standardit ‘kohë e arsyeshme’.

Po ashtu, Lajçi në ankesën e tij kishte pretenduar se koha e hetimeve nga ana e prokurorit të specializuar nuk përkon me parimin “reasonable time” brenda një kohe të arsyeshme.

Kolegji i Apelit i përbërë nga gjyqtarët Michele Picard, Emilio Gatti, Kai Ambos kishte gjetur se ankesa e Lajçit është e pabazuar sepse neni 159 paragrafi 1 i Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës nuk është i zbatueshëm për hetimet e zyrës së prokurorit të specializuar.

Kolegji i Apelit të Dhomave të Specializuara në lidhje me pjesën e aplikimit të “kohës së arsyeshme” nga rregulla e 47 të Rregullores së Punës të Dhomave të Specializuara kishte gjetur se standardi i “kohës së arsyeshme” është zbatuar në përputhje me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, konventë e cila në raport me ligjet e Kosovës ka superioritet në zbatim.

Tutje, Lajçi paraqiti një ankesë pranë Ombudspersonit të Dhomave të Specializuara.

Duke pretenduar, ndër të tjera, se procedurat e ZPS-së dhe trajtimi i përgjithshëm ndaj tij ndërhynin në të drejtën e tij themelore për gjykim të drejtë.

Ombudspersoni i DHSK-së arriti në përfundimin se Lajçi nuk kishte juridiksion për ta shqyrtuar ankesën dhe rrjedhimisht e hodhi poshtë atë.

Lajçi përsëri kishte bërë kërkesën e dytë që ZPS të pushonte hetimet ndaj tij.

Kërkesa e dytë e Lajçit për urdhër që ZPS-ja të pushonte hetimet ndaj tij, u refuzua përsëri.

Lajçi paraqiti ankesë kundër vendimit, por Gjykata e Apelit e refuzoi atë dhe përsëri u pajtua me konstatimin e gjyqtarit të vetëm Guillou se periudha e hetimit nuk ishte në kundërshtim me kriterin e “kohës së arsyeshme” sipas rregullit 47 të Rregullores.