Ndërtesa e Qeverisë së Kosovës - Foto: KALLXO.com

Zyra e Kryeministrit shpenzon rreth 7 mijë euro për larje të veturave

Zyra e Kryeministrit të Kosovës ka nënshkruar kontratë në vlerë 7,206 euro për larje të veturave zyrtare.

Për 12 muajt e ardhshëm, veturat e Zyrës së Kryeministrit do t’i pastrojë kompania “Ajani & Adami”. Kontrata është nënshkruar përmes procedurës së kuotimit më 6 nëntor dhe do të skadojë më 5 nëntor 2021.

Kompania “Ajani & Adami” do t’i kryejë 4 shërbime të larjes së veturave Zyrës së Kryeministrit të Kosovës.

Për periudhën prej 12 muajve, kompania do të bëjë 3 mijë larje të veturave zyrtare me detergjent (brenda dhe jashtë). Një larje do t’i kushtojë ZKM-së 2.20 euro përderisa 3 mijë larje do t’i kushtojnë 6,600 euro.

Po ashtu, do të bëhen 60 ekstra larje, (brenda dhe jashtë, përfshirë tavanin, ulëset, dyert, etj). Secila ekstra larje do të kushtojë nga 5 euro përderisa në total 60 ekstra larjet e veturave kapin vlerën e 300 eurove.

Shërbimi i tretë që do të ofrojë komuna fituese është edhe larja e motorit të automjetit me preparate kimike dhe ujë. Me kontratë janë paraparë 60 larje nga 10 centë që në total do t’i kushtojë 6 euro.

Përveç kësaj, në kontratë është paraparë edhe uji/detergjenti i xhamave për automjete në një sasi prej 2 mijë litrave nga 15 centë. Në total, ky shërbim do t’i kushtojë ZKM-së 300 euro.